Në ditën e zgjedhjeve, qytetarët do të mund t’i marrin dokumentet e gatshme
Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në rast se qytetarët e kanë të gatshme dokumentin e ri në stacionin policor, ato do të mund ta marrin atë në stacionet policore në Shkup. Dokumentet do të mund të merren në të gjitha stacionet policore në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Në prag të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen të mërkurën, më 24 prill, Ministria për punë të brendshme informon qytetarët se Reparti për punë civile, gjitha drejtoritë pranë MPB më 24 prill do të punojnë për dhënien e dokumenteve personale”, sqaroi Policia.
Orari i punës për punonjësit e policisë do të jetë prej orës 08:00 deri në ora 19:00.
Ndryshe, më 24 prill do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë qytetarët e vendit janë në pritje të nxjerrjes së pasaportave personale për shkak ndryshimit të emrit të shtetit, si një detyrim nga Marrëveshja e Prespës.
Sot fillon heshtja parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale. Gjatë heshtjes, në datat 23 dhe 24 prill (deri në orën 19:00) pushon mbulimi mediatik në lajmet dhe emisionet speciale informative të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.