May 3, 2024
BallinaMaqedoni

ITSHKSH përkujtoi studiuesen Lindita Ahmeti

Në shenjë nderimi të hulumtueses së punësuar në ITSHKSH, Lindita Ahmeti, që para dy javësh u nda nga kjo botë, Instituti sot mbajti një mbledhje komemorative për studiuesen, poeten, përkthyesen dhe miken tonë. Në praninë e familjarëve, kolegëve dhe miqve të saj të zemrës e mes fjalëve të sinqerta plot mall dhe mirënjohje, me këtë rast morën fjalën disa nga kolegët dhe miqtë e saj më të afërt, si dhe babai i saj profesor Xhabir Ahmeti.

Në fjalën e tij drejtori i Institutit, Skender Asani, duke kujtuar karakterin aq të përkushtuar të Linditës, e cila shpesh punonte deri në orët e vona në Institut, shprehu vlerësimin e tij të thellë për trashëgiminë e pasur krijuese e shkencore që ajo la pas, për nder të së cilës biblioteka e Institutit do të marrë emrin e saj. “Biblioteka e Institutit tonë do të mbaj emrin e Lindita Ahmetit, jo vetëm për shkak se ajo ishte punonjëse e jona, por ajo kishte edhe një lidhje të veçantë, madje edhe emocionale me Institutin tonë, duke e shprehur këtë në çdo moment dhe rast që i jepej”, tha ai.

Kolegia dhe dhe studiuesja Valdeta Hajdari Kasapi, duke paraqitur biografinë shumëpalëshe të Lindita Ahmetit numëroi punimet e saja të botuara në shumë revista, pjesëmarrjen e saj në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përkthimet dhe poezinë e saj, për të cilën është shpërblyer me çmime të shumta.