BESA akuzon SPB Tetovë për presione politike – SPB Tetovë: Vetëm një person është thirrur në stacion
Kryetari i Forumit Rinor të Lëvizjes BESA Albi Qamili, përmes një konferencë për media akuzoi krye shefin e SPB Tetovë Shefik Bajramin, se në mënyrë të paligjshme fton në polici aktivistë të BESËS. Sipas Qamilit kjo behët me qëllim frikësimi i aktivistëve.
“Atë që dimë është se në stacion fillimisht janë ftuar në mënyrë joligjore, përmes telefonit që urgjentisht të paraqiten në polici, e shumë më vonë ua kanë dërguar ftesën me shkrim, siç duhet të veprojë policia. Ajo që mund të themi është se veprimet e këtilla diktatoriale bëhen nga shefi i SPB Tetovë, Shefik Bajrami, i emëruar në këtë pozitë në mënyrë joligjore edhe pse ka dosje kriminale dhe është i dyshimtë për pjesëmarrje në më shumë vepra të rënda. Por me insistimin anti logjor të BDI-së mban postin e shefit të SPB Tetovë”, tha Qamili.
Por nga SPB Tetovë përmes një komunikate thonë se deri me datë 22 prill në SPB Tetovë është thirrur vetëm një person për veprën “keqpërdorim i të dhënave personale”.
Grafike- “Gjatë ditëve të fundit, deri më sot (22-prill) në Sektorin për punë të brendshme Tetovë, është evidentuar vetëm një thirrje për një person, edhe atë për personin D.A. (27) nga Neproshteni i Tetovës, i cili ka qenë i raportuar për veprën penale ‘Keqpërdorim i të dhënave personale”, delaroi SPB Tetovë.
Edhe javën që lamë koalicioni VLEN akuzoi policinë e Tetovës se është duke bërë presione mbi aktivistët e tyre.