Maqedoni

Strugë, kriza mbylli shumë biznese, të tjerat presin sezonin veror

Krizat e një pas njëshme kanë ndikuar tek bizneset e vogla në Strugë, prej të cilave disa nuk mbijetuan dhe u mbyllën, e të tjerët presin sezonet verore për t’u rimëkëmbur. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se shteti duhet të ndihmojë bizneset, sepse edhe pse ka biznese që po hapen, por edhe po mbyllen shumë të tjera. Ndërsa, thonë se problemi tjetër me të cilën përballen bizneset është edhe mungesa e fuqisë puntore.

“U fol dhe u tha se u ndihmuan me mjete por ishin shumë modeste dhe nuk arriti që t’i mbajë të gjallë shumë kompani që nuk e di saktë me numër por një pjesë e kompanive në Strugë, Ohër dhe me gjerë janë mbyllur, gjatë këtyre krizave. Sigurisht ka edhe hapje, por ka më shumë mbyllje të kompanive, biznesi vazhdohet të ecë përpara. Normalisht duhet të ndihmohet nga shteti por edhe ajo që e mundon më së shumti është mungesa e fuqisë punëtore.”, tha kryetar i OEMVP-së. Mendi Qyra.

Edhe zejtaria po humbet në Strugë. Por, ka industri që kërkohen shumë, siç janë sallonet e bukurisë dhe frizerët. Bertiana Dauti, pronare e një salloni bukurie thotë se në Strugë kërkohet luksi andaj këto biznese kanë punë gjatë gjithë vitit, megjithatë sezoni veror është më i ngarkuar.

“Struga është vend turistik dhe vëmendja i përkushtohet verës sepse pjesa dërmuese jeton jasht shtetit dhe verës vijnë në vendlindje. Normalisht koha e verës është më e ngarkuar por si profesione gjatë gjithë vitit ne punojmë rrjedhshëm. Normalisht që êshte ndjerë në çdo biznes ndryshimi i situatave ekonomike dhe financiare, mirëpo Struga është jo vetëm e shtrejntë por edhe luksoze, njerëzit kërkojnë, dinë çfarë duan dhe ne mundohemi që t’ua plotësojmë kërkesat në maksimum.”, u shpreh Bertiana Dauti, pronare e një salloni bukurie.

Edhe pse mungesa e puntorëve në Strugë është më e thelluar në sektorin e turizmit dhe ndërtimtarisë, edhe industritë tek të cilat të rinjtë janë drejtuar më së shumti, kanë mungesë të fuqisë punëtore, kjo për shkak të migrimit masiv të rinisë./TVM2