Maqedoni

Taravari në Likovë: Do të sjellim drejtësi

“Do t’ia rikthejmë namin e dikurshëm Kumanovës dhe Likovës! Do ta lidhim Kumanovën me Gjilanin dhe Preshevën, do të investojmë në agrobiznes, grante e fermerë. Do të investojmë më shumë në agrobiznes, në grante për fermerë dhe në zhvillim ekonomik që rajonit të Likovës dhe Kumanovës t’i rikthejmë namin e dikurshëm në bujqësi dhe prodhimtari”. Këto ishin disa nga porositë që kandidati për president, Arben Taravari i përcolli sonte nga Komuna e Likovës. Komunë kjo që ngriti në pushtet BDI-në ndërsa si shpërblim mori vetëm dëm, padrejtësi e keq-qeverisje.

“Në vend se ta privilegjojë e ta zhvillojë, këtë rajon që dikur cilësohej si rajon i krizës, keq-qeverisja e BDI-së e ka zhytur në kriza të shumëfishta. Krizë e ekonomisë dhe e bujqësisë, krizë e papunësisë dhe e migrimit, por edhe krize e sigurisë dhe e rasteve të montuara. Askush më shumë se banorët e kësaj ane nuk i kanë ndjerë në lëkurën e tyre pasojat e keqqeverisjes së BDI-së”, theksoi Taravari në fjalimin e tij.

Por, sipas tij kjo gjendje do të marrë fund me votën e vetë qytetarëve, që VLEN dhe do të sjellë ndryshimin e shumë pritur.

“Do të sjellim më shumë drejtësi, fillimisht për rastet e montuara politike, ku do të angazhohemi për drejtësi dhe dëmshpërblim të atyre shqiptarë që janë mbajtur padrejtësisht në burg. Nuk e harrojmë kurrë ushtarin e lirisë dhe banorin e kësaj ane, Rexhail Qerimi, i cili padrejtësisht u mbajt në burg për 13 vite dhe ndërroi jetë në qeli kur dihej botërisht se ai nuk kishte asnjë lidhje me atë për të cilën akuzohej”, theksoi Taravari.