Maqedoni

Zjarri mbi Sharr, Ameti kërkon ndihmë nga institucionet tjera

Vazhdon të jetë aktiv zjarri në Malin Sharr mbi Sellcë të Tetovës, duke djegur hektar drunj. Komandanti i NJTKZ – Tetovë, Avni Ameti, tha se zjarri është dy kilometra larg shtëpive të banorëve të Sellcës. Sipas Ametit, zjarrfikësit janë në terren dhe po mundohen ta fusin nën kontroll zjarrin, por terreni i vështirë e pamundëson një gjë të tillë.

“Zjarri është dy kilometra larg nga fshati. Është një terren shumë i vështirë për ne si zjarrfikës të futemi në atë terren që është malor. Bëjmë përpjekjet tona që të jemi në krye të detyrës. Për momentin, për shuarje të zjarrit janë angazhuar Drejtoria e Parkut Kombëtar dhe zjarrfikësit e Tetovës.”, – deklaroi komandanti i NJTKZ-Tetovë, Avni Ameti.

Ameti akuzoi drejtoritë e tjera, që sipas tij nuk bëjnë mjaftueshëm për të shuar zjarrin. Ai kërkoi nga drejtori për Menaxhim me Kriza që t’i fus në funksion aeroplanët, me qëllim që të shuhet zjarri, pasi vetëm me helikopter ky zjarr nuk shuhet.

“Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kemi kërkuar helikopter dhe aeroplan, të cilat RMV- ja i posedon. Deri tash kemi aktiv vetëm një helikopter, i cili dje ishte në terren, edhe sot me kërkesën time pasi zjarri ka marrë përmasa më të mëdha. I bëj thirrje Drejtorisë për Menaxhim me Kriza, të cilët posedojnë tre aeroplanë, që të na dalë në ndihmë, në këtë rast arsyeja është për të mirën e përgjithshme.”, – theksoi komandanti i NJTKZ-Tetovë, Avni Ameti.

Nuk është hera e parë që në këtë vend ka vatra të zjarrit, edhe vitet e kaluara po në të njejtin vend ka pasur zjarre më përmasa të mëdha, duke djegur hektarë të drunjëve. Në ndihmë të zjarrfikësve të Tetovës kenë dalë edhe banorët e Sellcës, të cilët bashkë me zjarrfikësit punojnë për shuarje të zjarrit.