Stina e pranverës rrit rastet e alergjive, te fëmijët kryeson alergjia nga poleni
Alergjitë tek fëmijët janë në rritje. Disa kalojnë me hundë të bllokuara, sy dhe fyt të skuqur, por të tjerë kanë edhe vështirësi në frymëmarrje dhe astmë. Në Klinikën e Fëmijëve po trajtohen 15 fëmijë me simptoma të reaksioneve alergjike dhe është shtuar numri i vizitave ambulatore.
Mjekët thonë se një nga arsyet është rritja e përqendrimit të polenit në ajër për shkak të ngrohjes së papritur në këtë periudhë, por edhe ndotjes së ajrit.
“Gjithçka që thithim, ajo që hamë dhe pimë është arsyeja kryesore e rritjes së numrit të personave alergjikë në mbarë botën, nuk është vetëm këtu. Trajtimi fillimisht është ambulator, por në këtë periudhë, në periudhën e pranverës, është rritur numri i fëmijëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, laringit të përsëritura, bronkoobstruksione të përsëritura, pra acarime të sëmundjes astmatike”, u shpreh drejtoresha e Klinikës për fëmijë Valentina Cvejoska.
Alergjitë, sëmundjet autoimune dhe malinje janë sëmundje të shekullit 21, të gjitha sulmojnë imunitetin – thotë drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve. Hulumtimet tregojnë se rreth 25 për qind e popullsisë së botës vuan nga një sëmundje alergjike.