Maqedoni

Komiteti i OKB-së: Nuk arrihet konsensus për anëtarësimin e Palestinës

Komiteti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për pranimin e anëtarëve të rinj nuk arriti konsensus mbi pranimin e Palestinës si anëtare e plotë e OKB-së. Në deklaratë theksohet më tej se Malta do të përgatisë një raport për këtë çështje dhe do t’ua shpërndajë anëtarëve të Këshillit.

Përfaqësuesja e Përhershme e Maltës në OKB, Vanesa Frazier, në fjalën e saj për gazetarët deklaroi se nuk kishte asnjë problem për kushtet për anëtarësim, duke thënë se dy të tretat e Komitetit e mbështesin anëtarësimin. Në vitin 2011, Palestina paraqiti një ofertë për t’u bërë anëtare e plotë e OKB-së, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e kërkuar nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, i dërguari palestinez në OKB, Rijad Mansur, njoftoi më 2 prill se i ka dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteres, duke kërkuar që aplikimi i tyre për anëtarësim të rishqyrtohet.
Nëse komiteti përgjigjet pozitivisht, Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të votojë, me kushtin që asnjë nga anëtarët e tij të përhershëm të mos ushtrojë të drejtën e vetos dhe të paktën nëntë nga 15 anëtarët të votojnë në favor të një rezultati pozitiv. Nëse Këshilli miraton, çështja i referohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Miratimi i anëtarësimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh kërkon një shumicë prej dy të tretave të votave. Që nga viti 1974, Palestina ka marrë pjesë në OKB si vëzhguese.