Shuhet zjarri në Sallën Universale, MPB: Tre punëtorë janë arrestuar
Në zjarrin e sotëm që shpërtheu në Sallën Universale në qendër të Shkupit, nuk u regjistruan viktima dhe të lënduar, por vetëm dy gra të asfiksuara nga tymi të cilat janë udhëzuar për Klinikën e Toksikologjisë. Menjëherë pas denoncimit, në vendngjarje janë dërguar efektivë policorë dhe efektivë të Brigadës së Mbrojtjes nga Zjarri, të cilët kanë shuar zjarrin rreth orës 11:30, thonë nga MPB-ja.
“Lidhur me zjarrin, në Qendër janë ndaluar tre punëtorë ndërtimi, të cilët në momentin e kaplimit të zjarrit kanë qenë duke punuar. Ata janë B.R. (50), Z.T. (60) dhe B.I. (53). Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Stojçevska: Të zbardhen arsyet për zjarrin
Ka dëme materiale, për të cilat do të duhet të përcaktohet më tej shuma, përpara se të vazhdohet me ndërtimin e objektit, theksoi ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e cila bëri thirrje për veprim të shpejtë nga të gjitha institucionet.
“Bëj thirrje për veprim të shpejtë nga të gjitha institucionet. Këtu me ne janë prezent edhe përfaqësues nga mbikëqyrja nga firma që e ndërton Sallën Universale. Bëj thirrje për zbardhjen e arsyeve për kaplimin e zjarrit dhe të mos përhapen spekulime, sepse nuk ka viktima, i tërë objekti ishte i zbrazët. Është shkaktuar dëm material, që së shpejti do të vërtetohet sa dëm është shkaktuar para se të fillojë ndërtimi.”, – deklaroi ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska.
VMRO: Do të kërkojmë përgjegjësi nga pushteti
Në shkurt të këtij viti rikonstruksionin e sallës së qytetit të Shkupit e ndërmerr Ministria e Kulturës. Por, nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se pas ndryshimit të pushtetit, Kovaçevski dhe Stojçevska do të jenë përgjegjës për qëndrimin e tyre ndaj simbolit të Shkupit.
“Në Sallën Universale, Qeveria ka një kohë të gjatë që ka ndërmarrë aktivitete ndërtimore, ndaj duhet të përgjigjet se çfarë materialesh kanë instaluar në periudhën e kaluar dhe kush ka qenë kontraktuesi? A janë inkorporuar materiale rezistente ndaj zjarrit apo, si në shembullin e spitalit modular të Tetovës, është inkorporuar, gjë që ata e kanë parë më të lirë? Sepse, Salla Universale qëndron si simbol i Shkupit për 50 vjet dhe në momentin kur kjo qeveri kriminale e rrënon dhe vendos materiale për ta rinovuar, ajo digjet.”, – theksoi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Salla Universale ishte në fazën e rikonstruksionit dhe vetëm dy javë më parë ishte vendosur kupola e re. Rindërtimin e saj e kishte nisur ish-kryetari, Petre Shilegov, por kryetarja aktuale e Shkupit, Danela Arsovska, nuk e ka vazhduar, me çka përgjegjësinë për rikonstruimin e saj aktualisht e ka Ministria e Kulturës./TVM2