May 3, 2024
Maqedoni

Qytetarët e besimit islam përgatiten për Bajram, ankohen për rritjen e çmimeve në prag të festës

Në prag të festës së Fitër Bajramit, në tregjet e qytetit, marketet, qendrat tregtare, dyqane, vërehen më shumë blerës të cilët po bëjnë përgatitjet për festën që po afrohet.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 theksojnë se pavarësisht mundësive financiare, ata arrijnë që të përgatiten mjaftueshëm për t’i shijuar ushqimet tradicionale të kësaj feste bashkërisht me familjet e tyre, edhe pse sipas tyre çmimet janë të larta.
“Po, kemi filluar dje dhe pardje. I kemi blerë gjërat që na duhen. Me kadaif, me gjithçka, ndërsa bakllavanë në shtëpi e kemi përgatitur. Për te mërkurën jemi përgatitur me bakllavë të shtëpisë. Çmimet janë të larta, në përgjithësi domatet, por edhe këto, kadaifi e të tjera gjëra kanë ndryshuar.”, – tha një qytetar.
“Çfarë kemi mundur, kemi blerë, por në përgjithësi jemi përgatitur. Zonja e ka përgatitur. Çmimet janë të larta, por nuk kemi cfarë të bëjmë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Pak janë gjërat më të shtrenjta. Po, në shtëpi kemi përgatitur bakllavanë.”, – u shpreh një qytetar.
“Po, po,  kemi filluar. Për ëmbëlsira, gratë duhet pyetur.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
Gjithashtu për çmimet e larta janë të vetëdijshëm edhe vetë  tregtarët. Ata thonë se  lëvizje të qytetarëve ka, por shitja është e dobët.
“Ashtu siç kanë qenë  çmimet tërë muajin, ashtu janë edhe për festë. Kapaciteti i këtij populli është aq, çmimet janë të larta.”, – tha një tregtar.
“Krizë e madhe në financa tek popullata. Çmimet po janë të larta, por ne presim prej ndihmës sociale edhe pensionistëve që marrin nga 200 euro. Çfarë të bëjnë me ato te holla!? Interesi është shumë i ulët për së tepërmi.”, – u shpreh një tregtar.
Festa e Bajramit vjen pas përfundimi të 30 ditëve të agjërimit. Falja nëpër xhamitë e gjithë vendit do të bëhet në orën 6:43 minuta të mëngjesit të nesërm./TVM2