Maqedoni

Osmani dhe Taravari janë ‘për’ që presidenti të zgjidhet në Kuvend

Kandidati për president nga Fronti Europian, Bujar Osmani në duelin presidencial në TV21 me Arben Taravarin e VLEN-it, ka folur edhe për zgjedhjen e presidentit në Kuvend. Ai thotë se kjo ide është e BDI-së, që nga viti 2006 dhe se propozojnë që presidenti i ardhshëm të zgjidhet me 2/3 e votave në Kuvend, përcjell Nistori.

Sipas Osmanit, kjo do të kontribuonte edhe në deeskalimin e raporteve brenda komunitetit maqedonas dhe shqiptar, por edhe në raportet ndëretnike.

“Nuk është temë e re. BDI këtë temë e shtroi që në 2006-tën. Në këto zgjedhje, ne menduam se duhet të jetë një autoritet i cili do të jetë zëri i arsyes ose kreatori i konsensusit shtetëror. Zgjedhjet e drejtpërdrejta janë më kompatibile me sistemet presidenciale shtetërore të rendit kushtetues. Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ka qenë burim i polarizimit dhe eskalimit shtesë, edhe brenda-maqedonas, edhe ndëretnik. Ne mendojmë, se është mënyra më e mirë për të krijuar një konsensus shtetëror dhe propozoj që të zgjidhet me 2/3 dhe me shumicë të dyfishtë, që edhe të deeskalojë situata brenda kampusit maqedonas edhe brenda kampusti shqiptar”, tha Osmani.

Shtoi se me këtë, do të reduktohen edhe miliona euro që shpenzohen për realizimin e votimit në zgjedhje presidenciale për diasporën.

“I pash disa numra. Janë paraqitur vetëm 2500 qytetar për të votuar, kurse do të harxhohen 1 milion euro për këtë votim”, njoftoi Osmani.

Taravari “pro” që presidenti të zgjidhet në Kuvend: Dy votimet e para me 2/3 e votave, i treti me shumicë të thjeshtë

Kandidati për president nga VLEN, Arben Taravari propozon që presidenti të zgjidhet në Kuvend, po kjo formë dallon në votim nga propozimi i FE-së.

Kandidati i opozitës thotë se dy votimet e para të jenë me 2/3 e votave, dhe që t’i shmanget ngërçit institucional, votimi i tretë të realizohet me shumicë të thjeshtë.

“Pasi që jemi demokraci parlamentare, sikur në Shqipëri, Gjermani, Greqi, Kosovë, kryetari të zgjidhet nëpërmjet Parlamentit. Këtu dallojmë me BDI-në, sepse propozimi i BDI-së është të zgjidhet me 2/3 dhe me badenter, kurse propozimi ynë është që votimi i parë dhe i dytë të jetë me 2/3 dhe me badenter, ndërkaq që të mos ketë krizë institucionale – votimi i tretë të jetë me shumicë të thjeshtë – me 60 deputetë plus 1”, tha Taravari. /Nistori/