Maqedoni

Taravari: Do kërkoj largimin nga “Open Ballkan” dhe de-jugosllavizimin e Ushtrisë dhe Shërbimeve Sekrete

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari në konferencë për shtyp sot shpalosi Platformën Presidenciale e cila bazohet në katër shtylla, Maqedonia e Veriut e integrintegruar në rajon dhe Evropë, Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale.

Integrimi në Bashkimin Evropian është synimi ynë i padiskutueshëm, është rruga jonë e vetme për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë, dhe si e tillë do të jetë edhe prioriteti im më i lartë si President. Në politikën rajonale, do të angazhohem për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal në bazë të vlerave tona, ndër të cilat është edhe Kosova si shtet i pavarur, sovran dhe i barabartë. Zotimet e mia kryesore në këtë rrafsh janë se do të kërkoj garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së që pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut përtej kornizës negociuese të vitit 2022, mandatin për formimin e qeverisë do t’ia besoj partisë apo partive të cilat dëshmojnë që kanë shumicë në Kuvend, duke kërkuar nga mandatari plan të afatizuar për realizimin e ndryshimeve kushtetuese dhe bazuar në nenin 121 të Kushtetutës, do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur“, theksoi Taravari, duke shtuar se si president po ashtu do të angazhohet për harmonizimin e plotë të politikës sonë me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Në lidhje me shtyllën e dytë, Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë, Taravari tha se BE, SHBA dhe NATO janë aleatët e pazëvendësueshëm, prandaj Maqedonia e Veriut është e gatshme të luajë rolin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botën përkrah aleatëve.

Maqedonia e Veriut është vend i sigurt dhe nuk përballet me asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë të jashtëm. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk përbën kërcënim. Rusia do të vazhdojë të nxisë frikë dhe të krijojë destabilitet, përderisa varësia energjetike dhe vulnerabiliteti nga sulmet kibernetike mbeten kërcënime të vazhdueshme për ne. Si Presidenti ardhshëm, zotohem se – Maqedonia e Veriut, do të sigurojë buxhet të qëndrueshëm shumëvjeçar të mbrojtjes në nivelin prej 2% të produktit të brendshëm bruto, në përputhje me kriteret e NATO-s, do të kujdesem për de-jugosllavizimin e Armatës dhe të Agjencisë së Zbulimit duke emëruar vetëm profesionistët më të mirë dhe më të dëshmuar, përfshirë edhe sa i përket sistemit të tyre të vlerave pro-perëndimore, do të ndihmoj që t’i japim fund varësisë sonë energjetike nga Rusia duke lehtësuar formulimin e një koncepti shtetëror të energjisë dhe do të krijoj një Task Force për siguri kibernetike e cila do në ndihmojë në parandalimin hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kibernetike“, tha Taravari. (INA)