Dezinformatat nuk janë vetëm problem i mediave, por edhe problem i sigurisë
Kur bëhet fjalë për dezinformatat, rajoni i Ballkanit krahas atyre të brendshme, është i ekspozuar edhe ndaj ndikimeve të jashtme, ndërsa përgënjeshtrimi i tyre është çelësi për mbrojtjen e demokracisë. Ishte ky përfundimi i sesionit të parë të konferencës “Mbrojtja e Demokracisë në Ballkan – Ruajtja e integritetit të informacionit në epokën digjitale” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të verifikimit të fakteve, transmeton Portalb.mk.
Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis theksoi se dezinformatat janë një problem që depërton dhe prek të gjithë sektorët e shoqërisë dhe që i cenon vlerat shtetërore.
Ai përmendi se në Maqedoninë e Veriut po bëhen përpjekje për ta ndaluar anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe se për shkak të ndikimit afatgjatë të dezinformatave të jashtme nga ndikime të ndryshme të dëmshme nga jashtë, rrjeti kundër dezinformatave ka një rëndësi të veçantë dhe duhet të vazhdojë të rritet.
“Edhe pse verifikimi i fakteve është qenësor, ai vetë më vete nuk është i mjaftueshëm dhe është e nevojshme që secili nga ne ta kryejë rolin e tij”, tha Stojanovski dhe shtoi se dezinformatat nuk janë vetëm problem i gazetarisë apo mediave, por edhe problem i sigurisë.
Klodiana Kapo nga Faktoje.al tha se vihet re një numër shumë i madh titujsh dhe tekstesh “bombastike” apo të ekzagjeruara që kopjohen nga njëri-tjetri.
Kapo shtoi se në Shqipëri po përhapen dezinformata për luftëra hipotetike në Ballkan, politika proruse dhe foto që nxisin konflikte në vende.
Ajo tha se edhe pse dezinformatat krijohen brenda vendit, një numër i madh i dezinformatave vijnë nga jashtë dhe nga Serbia. Pastaj, për shkak të papërgatitjes së gazetarëve për t’u përballë me dezinformatat, lajmet shpërndahen, ndërsa në disa raste të njëjtën gjë e bëjnë edhe politikanët.
“Puna e mediave profesionale është që t’i verifikojnë faktet dhe informacionet që i shkruajnë. Jemi dëshmitarë të fotove dhe lajmeve që shpërndahen vetëm për të nxitur konflikte dhe dhunë mes vendeve. Për shembull, me qenë se shqiptarët janë të interesuar për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, ata vazhdimisht lexojnë lajme të rreme bombastike për luftëra të mundshme mes këtyre dy vendeve”, tha Kapo.
Panelisti i fundit, Faik Ispahiu nga Internews Kosova tha se Ballkani nuk ka arritur ta bëjë tranzicionin nga mediat komuniste publike dhe pikërisht kjo e bën rajonin lehtë të manipulueshëm nga informacionet e rrejshme.
“Sot nuk ka as edhe një televizion të vetëm në rajon që mund të quhet i besueshëm. Në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë njerëzit paguajnë taksa, por nuk kanë televizion që nuk është nën ndikimin e dikujt. Detyrimi jonë për t’i verifikuar faktet parashtron pyetjen se si t’i kontrollojmë televizionet që të mos publikojnë dezinformata”, tha Ispahiu.