Izrael, protestuesit kërkojnë largimin e Netanjahut
Përmes protestave antiqeveritare, dhjetëra mijëra njerëz në Izrael po bëjnë thirrje për zgjedhje të reja dhe një marrëveshje të menjëhershme për lirimin e pengjeve nga Hamasi. Demonstruesit ngritën tenda mbrëmë në Kneset. Protestat janë paraparë të zgjasin 4 ditë.
“Nuk mund të imagjinojmë që kryeministri Netanjahu të qëndrojë. Ai na çon në humnerë. Ne jemi të dënuar nëse ai nuk hiqet nga posti.”, – tha një protestues.
“Po i kërkojmë me mirësjellje zotit Netanjahu të largohet. Na ka humbur durimi.”, – tha një protestues tjetër.
“Unë jam për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i çlirojë të gjithë. Jam e lumtur për ata që u liruan, por më është thyer zemra që na u vra vajza dhe trupi i saj u rrëmbye në Gazë dhe ne nuk mund ta çojmë të varroset në Izrael.”, – u shpreh halla e një pengu izraelit.
Netanjahu, kundër zgjedhjeve
Netanjahu hodhi poshtë akuzat kundër politikës së tij negociuese dhe kërkesat për zgjedhje të reja. Sipas tij, nga shpallja e zgjedhjeve në këtë kohë do të përfitonte vetëm nga Hamasi. Kryeministri izraelit, në një fjalim televiziv mbrëmë, para se t’i nënshtrohej një operacioni hernie, tha se e kupton dhimbjen e familjeve të pengjeve dhe se po bën gjithçka për t’i sjellë ata në shtëpi.
“Thirrja për zgjedhje tani, në mes të një lufte, pak para fitores, do ta paralizojë Izraelin për të paktën gjashtë muaj apo më saktë rreth tetë muaj sipas vlerësimit tim. Do të paralizohen negociatat për lirimin e pengjeve tona. Lufta do të përfundojë para përfundimit të qëllimeve të saj dhe i pari që do të kënaqet është Hamasi.”, – deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
- Pas një operacioni ushtarak dyjavor, forcat izraelite u tërhoqën nga spitali “Al-Shifa” në Rripin e Gazës, raportojnë agjencitë botërore. Ushtria izraelite tha se avionët luftarakë sulmuan rreth 10 objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor. Bisedimet për armëpushimin vazhdojnë në Kajro. Uashingtoni dhe Tel Avivi vazhdojnë diskutimet për parandalimin e ofensivës në Rafah në një takim virtual. Komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, po kërkon që Izraeli të gjejë alternativa ndaj operacionit të planifikuar tokësor në Gaza, nga frika e një fatkeqësie humanitare edhe më të madhe. Ndërkohë, për herë të parë që nga fillimi i luftës, Hamasi u ka kërkuar falje banorëve të Gazës për vuajtjet e tyre.