E gjithë dëshmia e Mexhit Picarit për konfliktin me ish-dhëndrin 7 muaj para vrasjes
Mexhit Picari është autori i vrasjes së ish-dhëndrit të tij 41-vjeçar, Kudret Saliaj dhe plagosjes së avokatit Adriatik Cama, në ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të premte në Tiranë. 53-vjeçari u vu në pranga nga efektivët e policisë pak kohë pas krimit. Ka qenë ndarja e vajzës së autorit, Dhurata Saliajt me ish-dhëndrin Kudret Saliajn që ka agravuar situatën në familje dhe që përfundoi me një viktimë.
Historia e tyre për herë të parë është trajtuar publikisht në emisionin “Uniko”, në Klan Plus nga gazetari Spartak Koka, më 9 Nëntor të vitit të kaluar. Asokohe Picari rrëfeu një histori, ku i përlotur shprehej se ish-dhëndri i kishte folur me fjalë banale se “pa ta prurë gocën copa-copa nuk kam me të lënë”.
Po mirë thashë, pash Zotin mos ma godit gocën, ma bjer në shtëpi. Më foli një fjalë banale se ‘unë pa ta prurë gocën copa-copa nuk kam me të lënë’ tha ky. Çfarë je duke fol i thashë. Çfarë do që të ketë bërë goca i thashë ma bjer mua si prind. ‘Do vij te lokali’, tha. Mirë thashë, ma bjer se isha me gjithë nusen. Kisha hall mos i binte gocës. Unë e dija që i kishte marrë leje. I kishte thënë në darkë që do shkoj në spital. Goca kishte thënë që në mëngjes që do të shkoj në spital se jam në gjendje të rëndë se i dhimbte koka. Erdhën këta kur prisja telefonatën, ky nuk u përgjigj.
Më mori në telefon, më tha, “Mexhit jam tek shtëpia”. I thashë po ti më the që do vish te lokali. Jo tha “miqtë priten në shtëpi”. Kishte lënë makinën tek porta jashtë. Vjen dhe shoh unë këtë (gruan) të mërzitur. Edhe goca ishte e mërzitur, e zvarritur komplet, ishte e çorientuar, ishte e rraskapitur. I thashë, “hë mor bab ça ka”? “Kam qenë në spital”, tha. “A i the burrit moj?” “Po”, tha “edhe në mëngjes edhe në darkë”. I them këtij (Kudretit) “hë mor a të ka marrë leje goca”. “Po në darkë po” tha. “Ti më the në telefon jo” i thashë. Po në mëngjes a të ka marrë? Iu mor njëherë goja dhe po tha, më ka marrë. Më tha “nuk vij më në shtëpinë tënde se goca ka ikur vetëm në spital”. I thashë pse, jemi në 2020 si ikën? Ti e ke çuar në punë vetëm, po të ishe aq xheloz gocën mos e çoje në punë. “Jo, unë nuk e dua më, unë do t’ju vras”. E tha dhe këtë, më bëri presion psikologjik dhe kërcënim. Mua më bëri presion këtu. Bëri kërcënim, më tha unë do t’ju vras, do t’ju bëj, do t’ju kthej nëse ju tentoni të bëni ndonjë gjë.
Thashë nuk e do, nuk e do, por kështu si e keni bërë ju, nuk është mirë që ta rrihni, ta mbani, se e kishin rrahur 15 ditë më përpara dhe unë nuk kisha dijeni. Kur ma ka treguar vajza jam shumë i mërzitur për këtë rast që nuk më kanë treguar”, tregonte ai.
Mexhit Picari tregonte edhe një histori të shumë viteve më parë ku kishte kapur dhëndrin e tij duke u konfliktuar fizikisht me persona të tjerë. Sipas tij, sherri kishte ndodhur për konflikte banale, ku ishin të përfshira edhe disa vajza. 53-vjeçari rrëfente se në atë kohë i tregoi vajzës së tij për historinë e bashkëshortit, ndërsa ky i fundit i kishte kërkuar ndjesë.
Unë e kam kapur vetë para 10 viteve, kam kapur Kudretin (bashkëshortin e vajzës), e kam kapur te KMY te lokali, e kemi kapur, edhe baba i vetë, e kemi parë me goca, lidhje jashtë martese. Kur kam shkuar unë, e kam gjetur të çarë këtu te nofulla, edhe kanë qenë 4 çuna duke u zënë për punë femrash. Kur e kam parë me gjak kështu, ju kam thënë policia, unë kam qenë punonjës policie. Ju kam thënë mos se policia këtu. Ata direkt e kanë lënë, edhe më tha mik më shpëtove, hallall ta bëftë Zoti. Po ç’na bërë kështu more dhëndër. Po ti je i martuar, a ke turp i thashë. A ke turp që zihesh për punë femrash? Ti je i martuar, ke fëmijë. Tha bëra gabim, po më fal. Edhe unë i thashë gocës, erdhi dhe i thashë për mua lëre se ky nuk i heq huqet. Na ka marrë malli për nipërit, ju kanë bërë presion”, shprehej ai.
Ka qenë pikërisht ndarja e vajzës me viktimën Kudret Saliaj që ka agravuar situatën në familje. Ngjarja ka nisur në muajin Tetor 2020 ku nusja e shtëpisë, Dhurata, pretendonte se bashkëshorti i saj, Kudreti, e kishte larguar nga shtëpia e bashkëshortit dhe e kishte çuar tek shtëpia e babait duke mos i lënë asnjë mundësi për të takuar 3 fëmijët.
Brenda familjes ka pasur akuza dhe kundërakuza, pretendime për tradhti bashkëshortore, mosmarrëveshje dhe deklarata për dhunë fizike dhe psikologjike.