Ligji për Lojërat e Fatit “nuk lëkund” koalicionin qeverisës
Nuk ka krisje të raporteve mes partnerëve të koalicionit qeverisës edhe përkundër mosmiratimit të propozim-Ligjit për Lojërat e Fatit. Sipas kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski deputetët votuan sipas bindjeve të tyre dhe kjo nuk ka të bëjë me mosmarrëveshje LSDM-BDI. Kreu socialdemokrat tha se për mënyrën e votimit dhe arsyen për rrëzimin e ligjit, duhet t’i pyesim deputetët veç e veç.
“Nëse doni të dini për votimin në Kuvend, duhet të drejtoheni tek të gjithë deputetët dhe partitë që përfaqësohen në Kuvend, të tregojnë se pse votuan ashtu. Unë kurrë nuk u kamë diktuar deputetëve se si duhet të votojnë sepse ai ka të drejtë sovrane për të vendosur në raport me interesat e qytetarëve dhe përfaqësimit të interesave të tyre në Kuvend”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Opozita shqiptare thotë se me mosmiratimin e ligjit, në BDI u krijua panik e madhe për shkak se sipas saj, dështuan marrëveshjet milionëshe të Artan Grubit me nëntokën bullgare, serbe dhe malazeze.
“Ky ligj për lojërat e fatit që Artan Grubi tentoi ta kalon në mënyrë ekspres me flamurin Evropian për çka kishte reagime edhe nga faktori ndërkombëtar, nuk kishte fare të bën me mbrojtjen e rinisë nga lojërat e fatit, por thjeshtë tentativë për realizimin e marrëveshjeve kriminale të cilat Artan Grubi i ka bërë përmes kurbanit të tij, Përparim Bajramit. Pse kaq shqetësim në BDI dhe te Artan Grubi për faktin se nuk kaloi ligji? Mos vallë u ranë në ujë marrëveshjet milionëshe me nëntokën serbe, bullgare dhe malazeze”, tha Fari Hiseni, VLEN.
Propozim-Ligji për Lojërat e Fatit nuk u dekretua nga presidenti. Në lexim të tretë nuk gjeti mbështetjen e 61 deputetëve, përkatësisht për të votuan vetëm 51 deputetë. BDI e akuzoi opozitën shqiptare se me mosmiratimin e ligjit, nuk dëshiron që kazinotë t’i largojë nga objektet shkollore dhe fetare. /Alsat.mk