Kurti: Do të zbatohet vendimi për Manastirin e Deçanit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit. Kurti ka sqaruar se këtë e ka bërë për të arritur një qëllim shumë më madhor, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2016, parasheh transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit.
“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë… Megjithatë për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.