Zgjedhjet presidenciale, në mesnatë skadon afati për nënshkrimet
Sonte në mesnatë skadon afati për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët për njërin nga 15 kandidatët e paraqitur si kandidatë potencial për president të vendit. Por deri më tani, sipas të dhënave zyrtare të KSHZ-së, nga 15 kandidatët e regjistruar për mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhjet presidenciale, vetëm 7 prej tyre kanë mbaruar detyrimin e tyre për grumbullimin e 10,000 nënshkrimeve të nevojshme.
Jemi këtu pra pikërisht pranë KShZ-së, ku sonte përfundon afati për grumbullimin e nënshkrimeve për zgjedhjet presidenciale.
Deri më tani 7 kandidatë e kanë konfirmuar deri te KShZ-ja se kanë grumbulluar numrin e nevojshëm prej 10 mijë nënshkrimeve.
Kurse paraprakisht partitë politike janë duke u përgatitur për dorëzimin e listave për zgjedhjet parlamentare, për të bashkëbiseduar për këtë temë.
“Pikërisht sonte përfundon afati për mbledhjen e nënshkrimeve për përkrahje të kandidatëve për president të RMV-së dhe i gjithë procesi ka shkuar në mënyrë më të mirë të duhur. Si informatë të cilën e kemi marrë gjatë procesit të mbledhjes së nënshkrimeve për ditën e djeshme, rezulton që vetëm 7 kandidatë deri më tani e kanë plotësuar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve, të cilat duhen për përkrahjen e kandidatëve për president dhe ato janë: Gordana Siljanovska, Biljana Vankovska, Bujar Osmani, Maksim Dimitrievski, Stevo Pendarovski, Arben Taravari.”, – deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
“Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për president mbaron më 19 mars, ndërsa afati për dorëzimin e listave për kandidatët për deputetë në Kuvendin e RMV-së mbaron më 2 prill, kështu që të gjitha partitë politike dhe grupet e zgjedhësve duhet të gjitha procedurat t’i mbarojnë deri në këtë kohë dhe me 2 prill duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.”, – theksoi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani, pë TVM2.
Deri më tani Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM-ja ka tubuar 22,411 nënshkrime; Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE-ja 28,086; Bujar Osmani nga BDI – 11,085; Arben Taravari nga koalicioni opozitar shqiptar “VLEN” – 10,710; kandidati i GROM-it Stevço Jakimovski – 11,278; Maksim Dimitrievski, lideri i “E di” – 11,605 dhe Biljana Vankovska Cvetkovska nga “E Majta” – 10,528 nënshkrime.
Paraprakisht partitë politike kanë filluar edhe hartimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare, por akoma nuk ka asgjë zyrtare.