Showbiz

Kënga e reperëve izraelitë bën thirrje për vdekjen e Dua Lipas

Dy reperë izraelitë, një djalë dhe një vajzë, në këngën e tyre “Harbu Darbu” bëjnë thirrje për vdekjen e këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa dhe modeles së njohur Bella Hadid, duke i bërë “përgjegjëse” për sulmet e Hamasit që ndodhën më 7 tetor, raporton Times të enjten.

Kënga ka marrë më shumë se 18 milionë shikime në YouTube, dyfishi i popullsisë së Izraelit, që nga publikimi nëntorin e vitit të kaluar. Kënga quhet si “kolona zanore jozyrtare e luftës në Gaza”, ndërsa reperja Ness dhe reperi Stila përmendin në hebraisht një listë të njerëzve që ata thonë se janë “përgjegjës për sulmet e Hamasit”.

“Çdo qen do ta marrë atë që meriton”, thonë reperët në këngë, duke përmendur Hassan Nasrallahin, liderin e Hezbollahut, Mohammed Deifin, udhëheqësin e Brigadave të Hamas Al-Qassam dhe Ismail Hanin, presidentin e krahut politik të Hamasit.

Ndërsa hidhen në turmë dhe i tregojnë kamerës gishtin e mesit, reperët përmendin gjithashtu persona të famshëm që i konsiderojnë po aq përgjegjës për sulmet për shkak të qëndrimit të tyre kundër luftës. “Lista e zezë” e tyre përfshin këngëtaren Dua Lipa, modelen Bella Hadid dhe ish-yllin e filmave për të rritur, Mia Khalifa – duke përsëritur se “çdo qen do ta marrë atë që meriton”.

Dor Soroker, reperi me emrin artistik Stila, mbrojti tekstin dhe të drejtën e izraelitëve për të kritikuar Dua Lipan dhe Bella Hadidin, të cilat bën thirrje për armëpushim në Gaza.

“Ato nuk mbajnë armë fizikisht, por fjalët e tyre janë shumë të fuqishme. Përhapja e gënjeshtrave është e rrezikshme. Po sikur lajmet e tyre të rreme frymëzojnë njerëzit të vrasin hebrenjtë? Është shumë e ngjashme me atë që Nasrallah po bën në fjalimet e tij”, ka thënë ai në një intervistë së fundmi.

Kënga “Harbu Darbu” i dedikohet disa prej brigadave më të famshme të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), duke përfshirë njësitë Givati, Golani dhe Kfir.

“Një, dy, gjuaj”, thërrasin reperët gjatë këngës.

Tekstet e këngës përmendin premtimin se nuk do të ketë falje për sulmin e 7 tetorit dhe se çdo bombë që bie në Gaza do të mbishkruhet me emrin e dikujt, për t’u hakmarrë për vdekjen e tyre.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasi nisi më 7 tetor, ku grupi ekstremist palestinez sulmoi një pjesë izraelite. Që atëherë, janë shkaktuar mijëra viktima, veçanërisht në anën e palestinezëve.