Maqedoni

Sa fituan prodhuesit e ujit të ambalazhuar pas gënjeshtrës se i gjithë Shkupi sot do mbetet pa ujë?

Një lajm i rrejshëm ka alarmuar dje shkupjanët, pasi në faqen zyrtare të Ujësjellësit të Shkupit u postua një kumtesë se gati i tërë kryeqyteti sot do mbetet pa ujë nga ora 17.

Lajmi është demantuar nga Qyteti i Shkupit prej ku informuan se gjatë ditës së sotme do të furnizohet rregullisht me ujë.

“Fatkeqësisht në rrjetet sociale janë publikuar dhe shpërndarë informata të pasakta dhe të paverifikuara nga persona të paautorizuar dhe ndaj këtyre personave, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësi dhe Kanalizimi do të ndërmarrë hapat e duhur për të përcaktuar përgjegjësinë për tentativën për të krijuar pasiguri te qytetarët e qytetit të Shkupit.

Të gjitha zonat e banuara në qytetin e Shkupit do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm”, thonë nga Ndërmarrja.

Mirëpo pyetja që po e parashtrojnë shumë shkupjanë sot është se sa fituan nga ky lajm i rrejshëm kompanitë që prodhojnë ujë të ambalazhuar.
Lajmi i rrejshëm dhe momenti i plasimit të tij si duket nuk është zgjedhur rastësisht por me shumë kujdes, dyshojnë shkupjanët, transmeton Lideri.mk. Ky lajm është postuar të shtunën pasdite. Kjo ka detyruar shkupjanët menjëherë tua mësyejnë shitoreve për të blerë ujë të ambalazhuar, që të kenë rezerva të mjaftueshme uji për sot pas orës 17 ( kur thuhej se do të jetë ndërpreja shkaku i një gjoja defekti), duke pasur parasysh se shitoret në Shkup të dielën janë të mbyllura sipas ligjit. Demanti nga qyteti i Shkupit ka arritur sot, kur qytetarët veçmë kishin blerë bidonat me ujë. Në këtë mënyrë qytetarët janë gënjyer, kurse kompanitë e ujit të ambalazhuar kanë realizuar fitime të majme, shkruan Lideri.mk.

“Hallall që bleva ujë, por u lodha e u këputa duke e bartur bidona deri në katin e shtatë, sepse për sherr edhe ashensori ishte në defekt”, ka komentuar Oliver Denkovski në rrjetet sociale.