May 12, 2024
Maqedoni

MPB-ja njofton: Nga 13 shkurti vlen vetëm patentë shoferi me emrin e ri të shtetit

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton qytetarët se nga ora 00:00 e datës 13 shkurt 2024, në përputhje me ndryshimet ligjore tashmë të miratuara, dhe në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë pushojnë së vlefshmi dhe do të jenë të vlefshme vetëm dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Lusim qytetarët me dokumente të vjetra udhëtimi të mos tentojnë të largohen nga vendi ynë sepse nuk do të jetë e mundur. Qytetarët me dy shtetësi do të mund të përdorin pa problem dokumentet e udhëtimit të shtetit tjetër. Gjithashtu theksojmë se çdo shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut që vjen në pikën kufitare për të hyrë në vendin tonë, do të pranohet pa marrë parasysh dokumentin e udhëtimit me të cilin vijnë. Sa i përket letërnjoftimeve, i njoftojmë qytetarët se ato do të jenë të vlefshme edhe pas datës 13 shkurt, pavarësisht nëse e mbajnë emrin Republika e Maqedonisë apo Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët do të mund t’i përdorin ato pa pengesa në territorin e vendin tonë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sa i përket lejes për vozitje (patent shoferit), MPB-ja i njofton qytetarët se nga ora 00:00 e datës 13 shkurt 2024 do të vlejë vetëm patentë shoferi me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të veprojë në përputhje me ligjin dhe prandaj apelojmë qytetarët që të mos drejtojnë automjet nëse nuk kanë patentë shoferi të vlefshëm me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu paralajmërojmë se në rast të dëmtimit të shkaktuar nga një aksident i mundshëm trafiku, për shkak të patentë shoferit të pavlefshëm, qytetarët që nuk kanë patentë shoferi të vlefshëm do të duhet të bartin pasojat e dëmtimit të mundshëm. Sa i përket afisheve NMK për targa, përsërisim se ato janë plotësisht falas për qytetarët”, thuhet në njoftimin e MPB-së.