Vëllezërit Beluli nga Kosova: Dikur refugjatë lufte, sot me kompani të suksesshme në Austri
Vëllezërit Behadin, Sabajdin dhe Abidin Beluli, prej vitesh kanë ushtruar profesionin e ndërtimit në Austri dhe tani zotërojnë kompaninë e tyre “BrüderBau”, një kompani serioze dhe e suksesshme e ndërtimit në këtë vend
Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve në botë kanë depërtuar në shumë fusha të ndryshme, duke treguar suksese të mëdha. Këtij numri i shtohen edhe vëllezërit Beluli nga Opoja, në regjionin e Prizrenit, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Austri.
Vëllezërit Behadin, Sabajdin dhe Abidin Beluli, prej vitesh kanë ushtruar profesionin e ndërtimit në Austri dhe tani zotërojnë kompaninë e tyre “BrüderBau”, një kompani serioze dhe e suksesshme e ndërtimit në këtë vend.
Të tre vëllezërit me punën dhe vullnetin e tyre të pandalshëm për vite me radhë, krijuan kompaninë e tyre duke e bërë kështu një histori suksesi.
Në fakt familja Beluli ka pasur prej kohësh traditë biznesin. Babai i tyre, Salim Beluli kishte migruar në Austri në vitin 1971, ndërsa gjatë vitit 1999, për shkak të luftës në Kosovë, vëllezërit Beluli së bashku me nënën e tyre migruan si refugjatë për t’u bashkuar me babanë e tyre. Ata u vendosen në Perg, qytet në afërsi të Linzit, ku ende vazhdojnë të jetojnë.
“Fillimet kanë qenë jo edhe aq të lehta, sepse nuk kishim njohuri të gjuhës, pastaj ishin shumë të mëdha synimet për t’u kthyer sërish në Kosovë. Nuk ishte e lehtë të lësh shtëpinë, shkollën, shoqërinë dhe atdheun dhe të shkosh në një vend krejtësisht të ri ku nuk njihnim thuajse askënd“, tregon Sabajdini, njëri nga vëllezërit Beluli për revistën Albinfo.at.
Tutje ai rrëfen se babai i tyre punonte në firmën e njohur austriake të ndërtimit „Habau“. Ishte pikërisht kjo kompani gjatë kohës së luftës e cila kishte ndërmjetësuar përmes Ambasadës së Austrisë në Shqipëri, për të sjellë familjen Beluli në Austri.
„Ne u jemi mirënjohës jo vetëm kësaj kompanie e cila nga respekti që ka pasur për babanë tonë, ka garantuar për ne, por edhe për gjithë shtetin austriak për gjestin humanitar që ka bërë gjatë luftës së Kosovës, duke na hapur dyert e strehimit për gjithë shqiptarët e Kosovës“.
24 vite të frytshme në Austri
Tre nga djemtë e Salimit fillimisht punuan në kompaninë e ndërtimit „Habau“ ku babai i tyre kishte punuar që nga marsi i vitit 1971, duke i marrë mësimet e para në sektorin e ndërtimtarisë.
„Kur i mbushëm 18 vjeç, ne filluam të punojmë si nxënës në firmën „Habau“. Aty mësuam dhe përvetësuam „zanatin“ e ndërtimtarisë. Kemi punuar aty 16 vjet dhe kemi bërë trajnime të shumta kualifikuese për profesionin tonë“, shprehet Sabajdini.
Pastaj, në vitin 2017, tre vëllezërit, Behadini, Sabajdini dhe Abidini morën guximin dhe hapën kompaninë e tyre të ndërtimit “BrüderBau”.
Pavarësisht se fillimet për ta kanë qenë të vështira, vet hapja e firmës ka qenë iniciativë e bashkimit të forcës si familje, duke arritur të themelojnë një firmë serioze dhe të respektuar në Austri, që tani ka 12 punëtorë.
Kompania “BrüderBau” me ekipin profesional, ka realizuar me sukses një larmi projektesh private për familjet, kryesisht ndërtime të shtëpive si dhe shumë projekte të tjera, sipas dëshirës së klientëve.
„Kompania “BrüderBau” merret me ndërtimin e shtëpive familjare, ani pse në dy vitet e fundit, vërehet një lloj krize në ndërtimtari. Gjatë këtyre viteve, përveç tjerash, kompania jonë ka punuar me ndërtime të larta industriale”, tregon Sabajdini.
“BrüderBau” është po ashtu edhe pjesë e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri.
“Mundohem gjithmonë të jemi një urë lidhëse mes firmave shqiptare dhe atyre austriake. Në fakt, ne jemi akoma më të kënaqur që fëmijët tanë kanë një motivim për të pasur suksese dhe për të ecur përpara në karrierë”, thotë ai.
Familja Beluli, shembull i integrimit në Austri
Jo vetëm tre vëllezërit që me firmën e tyre “BrüderBau” kanë arritur të krijojnë emër të respektuar në fushën e ndërtimit në Austri, por pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes kanë vende të mira të punës nëpër institucionet austriake, duke u bërë kështu shembull i mirë i integrimit në Austri.
“Vëllai ynë i madh, Vahidini, i cili nuk është pjesë e kompanisë, është profesor në shkolla të larta të Austrisë për religjion dhe njëkohësisht është kryetar i ALKIG (Organizatës kupolë të xhamive shqiptare në Austri). Po ashtu edhe fëmijët tanë punojnë nëpër institucione austriake. Për shembull, djali i vëllait punon në Entin e Financave të Austrisë (Finanzamt), një tjetër ka studiuar në Innsbruck për Histori dhe Religjion ku përpos angazhimeve shkencore është njëri prej dy ligjëruesve fetarë në ushtrinë austriake (Bundesheer). Njëra vajzë e vëllait punon në Gjykatën Rajonale (Landesgericht) të Linzit, vajza tjetër punon në „Sigurimin shëndetësor“ (Krankenkasse)”, tregon Sabajdini.
Mirë-integrimi, bashkë me sukseset e secilit anëtar të familjes Beluli, i bën të jenë ballëhapur para gjithë shoqërisë austriake.
“Pavarësisht se secili vëlla ka familjen e tij dhe shtëpitë e tyre, ne punojmë dhe ndërtojmë të ardhmen tonë bashkë. Tradita, kultura, gjuha dhe feja mbizotëron tek ne dhe në familjen tonë”, përfundon Sabajdin Beluli.