October 8, 2024
Diaspora

Avokati shqiptar në Amerikë për një vit fitoi 15 milionë dollarë për klientët e tij shqiptarë

Sokol Paja

* Vetëm gjatë vitit të fundit 2023, Avokati Ylber Dauti ka fituar mbi 15 milionë dollarë për klientët e tij shqiptarë.

* Njëra nga çështjet, ku klienti shqiptar fitoi 4 milionë dollarë, bëri bujë edhe në shtypin amerikan (u botua në ‘New York Law Journal’ dhe ‘Verdict Search Reporter’).

* Njëra nga çështjet, ku klienti shqiptar fitoi 4 milionë dollarë, bëri bujë edhe në shtypin amerikan (u botua në ‘New York Law Journal’ dhe ‘Verdict Search Reporter’).

* Argumenti elokuent i Av. Dauti para Gjykatës së Apelit të New York-ut bindi trupën gjykuese të përbërë prej 5 gjyqtarësh të rrëzoje vendimin e gjykatësit të shkallës së parë dhe të vendosë në favor të klientit shqiptar. Argumenti i avokatit Dautit është i regjistruar dhe mund të shikohet në uebsiten a gjykatës së apelit të New York-ut.

* Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm në Amerikë Av. Dauti nuk ka harruar se nga ka ardhur. Ai ka krijuar Fondacionin “Brahim Cen Dauti” (në nder të emrit, dhe përkujtimit të babait të tij) për të ndihmuar studentët shqiptarë në përgjithësi dhe ata të rrethit të Hasit në veçanti.

Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krahas shumë fushave të tjera, arritjet në fushën e jurisprudencës shënojnë jo vetëm suksese e arritje personalo- profesionale por ngjarje komunitare e krenari kombëtare. Ylber Dauti përbën një rast të veçantë të suksesit shqiptar në fushën e drejtësisë amerikane.

Vetëm në vitin 2023 ai, falë mbrojtjes profesionale e aftësive të tij të spikatura, në favor të klientëve të tij solli mbi 15 milion dollarë. Ai u ndryshoi jetën shumë klientëve shqipetare dhe te kombesive te tjera të përballur me padrejtësi, aksidente në punë, mjekime të gabuara, lëndime fizike apo cënime të ndryshme të të drejtave individuale.

Falë aftësive të tij oratorike e analizuese, avokat Ylber Dauti arriti fitore spektakolare edhe përballë trupit gjykues te perbere nga 5 gjyqtarë te Gjykates se Apelit te Nju Jorkut. Me prova e fakte, dokumente autentike, burime të patjetërsueshme, falë aftësive analizuese të ngjarjeve, situatave, grup fakte-provave, fuqisë bindëse, ai ka nxjerrë fitimtarë klientet e tij duke shënuar suksese dhe arritje historike për jetën e çdo klienti.

I qetë, hulumtues, i drejtë, i ndershëm, i vërtetë, kurajoz, këmbëngulës, modest, kërkues, argumentues, elegant, elokuent, i ftohtë, bindës dhe skrupuloz, avokat Ylber Dauti ka krijuar një profil të lartë profesionisti te i cili edhe shumë shqiptarë kanë besuar fatet e fatkeqësive të tyre, por që fatmirësisht për ta fundi ka qenë i lumtur. Cilësia e lartë e shërbimit, besimi i ofruar, përvoja mbi njezet vjeqare, eksperienca e fituar, ekspertiza eksplicite, investimi i aftësive specifike e përkushtimi absolut në çështjen e klientëve i kanë sjellë suksesin e merituar.

Me sukseset gjithnjë në rritje, me klientë të të gjitha shtresave, fushave, interesave e nacionaliteteve të ndryshme, avokat Ylber Dauti ka krijuar e konsoliduar një emër shumë të nderuar në avokatinë amerikane dhe ate nderkombetare pasi Avokat Dauti eshte i liqensuar ne Amerike, Angli dhe Shqiperi. Para rreth njezet vitesh avokat Ylber Albert Dauti themeloi studion e tij ligjore “The Dauti Law Firm” ne Nju Jork dhe që nga ajo kohë e deri më sot, ai ka mbrojtur me sukses interesat e qindra klienteve.

Avokat Ylber Dauti është shumë i dashur dhe i vlerësuar nga komuniteti shqiptar, shoqatat e organizatat shqiptare në New York e më gjërë. Nëpërmjet kësaj interviste ekskluzive me Editorin Sokol Paja, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli i shprehin vlerësim e mirënjohje për shërbimin dhe mbështetjen e pakursyer për vite me radhë.

AVOKATI SHQIPTAR YLBER DAUTI MODEL I KORREKTËSISË DHE PROFESIONALIZMIT

Avokati shqiptar Ylber Dauti, vazhdon të jetë një model i veçantë për të gjithë ata që ëndërrojnë majat e suksesit profesional në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 23 vite karrierë në Amerikë ai është radhitur në elitën e avokatëve amerikanë duke qene model dhe pikë referimi për shumë shqiptarë. Ai është i pari avokat shqiptar në Amerikë që është anëtar i përjetshëm i “MULTI-MILLION DOLLAR ADVOCATES FORUM”. Avokat Dauti për 10 vitet e fundit është votuar dhe zgjedhur nga kolegët e tij si SUPER LAWYER. Ai gjithashtu ka fituar çmime të tjera si “Top 100 Lawyers in America”, “Best Attorney”, “Top American Lawyer”, etj.

Zyra e tij ligjjore ka regjistruar më shumë se 30 çështje milionëshe dhe multimilion dollareshe të fituara për klientet e tij dhe për avoketët të tjerë të cilët kanë kërkuar ndihmën dhe ekspertizën profesionale të Av. Dauti për të arritur rezultatet maksimale për klientët e tyre.

Krahas ngarkesës me çështjet gjyqësore që ndjek, ai është i angazhuar edhe si lektor nëpër universitete të Europës (Universiteti i Tilburgut ne Hollande), Azisë (Universiteti Kyushu ne Japoni) dhe Amerikës (Universiteti Lehigh), dhe jo rrallë, i zënë me median amerikane (Hollywood Life, Christian Post, New York Law Journal, Gotham Gazette, Verdict Search Reporter) dhe atë ndërkombëtare (China Times, Vitnam Times, Chinese Daily), që kërkojnë opinione e intervista prej tij si ekspert i lartë në fushën e drejtësisë.

STUDIO LIGJORE E AV. YLBER ALBERT DAUTI, ATY KU KLIENTËT FITOJNË MILIONAT

Zyra Juridike “DAUTI LAW FIRM, P.C”, ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të Manhattanit, në zonen e Wall Street (39 Broadway) është shëndërruar në një institucion të jashtëzkaonshëm konsulence, mbrojtjeje, suksesi e përfaqësimi gjithnjë e në rritje. Kanë qenë të shpeshta raportimet për sukseset e shkëlqyera të kësaj zyre në favor të klientëve shqiptarë. Përfaqësimi dinjitoz i klientëve, mbrojtja e tyre maksimale, ofrimi dhe shqyrtimi i të gjitha klauzolave ligjore, korrektësia në ndjekjen e procedurave dhe gatishmëria dhe përkushtimi për t’iu përgjigjur situatave e ngjarjeve të paparashikueshme, kanë rritur besimin e klientëve dhe garancinë e tyre në përfaqësimin me sukses në sistemin e drejtësisë amerikane.

SHIFRAT SHUMËMILIONËSHE DHE RASTI SHQIPTAR QË BËRI BUJË

Unë kisha lexuar në shtyp dhe dëgjuar rreth çështjeve të bujshme të fituara nga Avokat Dauti dhe në përgjigje të pyetjes sime për informacion lidhur me shifrat e fituara për klientët e tij, Av. Dauti tregon se: persa u përket shifrave që kam fituar për klientët do të veçoja 4 çështje që janë mbyllur gjatë vitit të fundit për shuma disamilionëshe. Njëra nga këto çështje ishte disi e veçantë për specifikën dhe natyrën e ngjarjes së komplikuar. Çështja që mbroja përfundoi në Gjykaten e Apelit dhe unë përfaqësoja një klient shqiptar i cili ishte aksidentuar në punë ndërtimi në Manhatan. Në momentin e aksidentit, punëdhënësi nuk kishte telefonuar ambulancen por e kishte dërguar klientin shqiptar me makinën e tij tek një spital në Bronx. Kur ata kishin mbërritur tek spitali, punëdhënësi i djallëzuar dhe dashakeq – me qëllim që të fshihte gjurmët e fajit të tij për mungesën e kushteve të sigurisë në punë – ju kishte thënë personelit të spitalit se klienti ishte rrëzuar diku në trotuar në rrugë.

Klienti, i cili kishte pak kohë në Amerikë dhe fliste pak anglisht nuk kishte qenë në gjendje të jepte një version të qartë dhe të detajuar në spital për mënyrën sesi i kishte ndodhur aksidenti. Gjatë procesit gjyqësor pala kundershtare mohonte përgjegjësi për aksidentin pasi ata pretendonin se aksidenti nuk kishte ndodhur në punë por në rrugë. Për të mbështetur argumentin e tyre ata bazoheshin në deklaratën e punëdhënësit si dhe në dokumentat e spitalit të cilat shkruanin se klienti kishte rrëshqitur dhe ishte rrezuar në rrugë. Situata vështirësohej dhe kompleksohej akoma më tepër me faktin se dokumentat e spitalit pasqyronin se ishte klienti shqiptar ai që u kishte thënë mjekëve se ai ishte aksidentuar duke ecur në trotuar. Por ajo çfarë shkruhej në dokumentat e spitalit nuk mund të ishte e vërtetë pasi pacienti/klienti nuk fliste dot Anglisht për të dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme për mënyrën se si ai ishte aksidentuar.

Për mua ishte e qartë se klienti im po tregonte të vërtetën dhe se prentendimet e palës tjetër ishin gënjeshtra. Unë isha i bindur se personi që kishte biseduar me personelin e spitalit në dhomen e emergjencës ishte punëdhënësi i klientit dhe jo klienti, pasi klienti nuk fliste dot Anglisht. Personeli i spitalit i kishte rënë shkurt duke shkruar historikun se si kishte ndodhur aksidenti dhe ata kishin neglizhuar të specifikonin që ky historik u ishte komunikuar prej punëdhënësit dhe jo prej klientit. Ky detaj i vogël përbënte diferencën e madhe.

Shënimet në dokumentat e spitalit që gabimisht i atriboheshin klientit tim përbënin një problem shumë serioz dhe rrezikonin që klienti të humbiste çështjen pasi kur çështja të prezantohej para Jurisë, pala tjetër do sillte punëdhënësin që do pretendonte se klienti nuk ishte dëmtuar në punë por ishte rrëzuar duke ecur në trotuar pasi kishte mbaruar punën. Klienti im shqiptar do të dëshmonte se aksidenti kishte ndodhur gjate punës për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë. Por pala kundërshtare do të paraqiste dokumentat e spitalit për të bindur Jurinë se versioni i tyre ishte i vërteti dhe se klienti po gënjente. Unë kisha besim që kur Juria të dëgjonte klientin dhe punëdhënësin ata do ti besonin klientit por problemi ishte që rekordat e spitalit e mbështesnin vesrsionin e punëdhënësit – dhe kjo mund të bënte që Juria të vendoste në favor të palës kundërshtare.

Si ne, edhe pala tjetër, i bëmë kërkesë gjykatës që të vendoste lidhur me pranimim apo përjashtimin si provë të shënimeve të pasqyruara në dokumentat e spitalit. Fatkeqësisht gjykata e shkallës së parë vendosi të pranojë këto rekorde si prove por unë apelova vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

AVOKAT YLBER DAUTI DHE FITORJA SPEKTAKOLARE NË GJYKATËN E APELIT ME 5 GJYQTARËVE AMERIKANË

Argumenti im para Gjykatës së Apelit, shpjegon Avokat Dauti, ishte se rekordet e spitalit nuk duhej të lejoheshin si evidencë dhe të paraqiteshin para Jurisë. Arsyeja pse këto dokumenta duhet të përjashtoheshin nga evidencat ishte pabesueshmeria e asaj çfarë shkruhej aty sepse klienti shqiptar nuk fliste Anglisht – dhe ishte a pamundur që ai tu kishte thënë mjekëve se ai ishte rrëzuar në trotuar siç pretendohej në shënimet e mjekëve. Si të tillë këto dokumenta nuk nuk kishin dobi provuese por kishin vetem efekte paragjykuese për të drejtat dhe interesat e klientit tim shqiptar. Ky ishte në thelb argumenti ynë por në të vërtetë, argumenti ishte shumë më i gjatë dhe kompleks nga ana teknike dhe proceduriale por unë nuk dua ta lodh lexuesin me këto detaje. Ne rast se ndonje lexues është kureshtar dhe i interesuar të mësojë më tepër, sugjeroj që të hapin këtë link të videos së regjistruar dhe arkivuar pranë Gjykatës së Apelit të Nju Jorkut: https://wowza.nycourts.gov/vod/wowzaplayer.php?source=ad1&video=AD1_Archive2021_Nov04_13-58-07.mp4 . Linku përmban regjistrimet e argumentave të disa çështjeve, dhe argument i çështjes në fjalë fillon rreth 2 ore dhe 37 minuta pas fillimit të seancës.

Pasi paraqitëm argumentat para trupit gjykues, Gjykata e Apelit e përbërë nga 5 gjyqtarë vendosi – unanimisht – të rrëzojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi mospranimin e dokumentave të spitalit si prove dhe si të tillë dokumenatat nuk mund ti prezantoheshin Jurisë. E thënë ndryshe, pala tjetër nuk do të lejohej të paraqiste gjatë gjyqit para Jurisë ato dokumenta të spitalit që diskutonin mënyrën se si kishte ndodhur aksidenti. Kjo ishte një fitore e madhe për ne. Pak kohë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, pala tjetër përfundimisht u dorëzua duke rënë dakort që të dëmshpërblejë klientin shqiptar me një shumë disa milionë dollarëshe.

FONDACIONI “BRAHIM CEN DAUTI” NË NDIHMË TË EDUKIMIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË

Kisha dëgjuar se Av. Dauti kishte krijuar një fondacion për të ndihmuar studentët shqiptarë në përgjithësi dhe ata të vendlindjes së tij në rrethin e Hasit në veçanti. Për këtë arsye kërkova të mësoj më tepër rreth kësaj iniciative fisnike dhe filantropike. “Jam shumë krenar dhe i lumtur, shpjegon për Diellin Av. Dauti, se kam krijuar fondacionin “Brahim Cen Dauti” në nderim, respekt dhe përkujtim të babait tim të shtrenjtë e të paharruar.

Një thënie e urtë Aziatike thote se “nëse dëshiron të planifikosh për një vit – mbjell oriz/grure/misër, nëse dëshiron të planifikosh për dhjetë vjet – mbjell pemë dhe nëse dëshiron të planifikosh për njëqind vjet – eduko fëmijët.” Nëse duam ta zhvillojmë një komb, duhet të fillojmë më shkollat dhe sistemin e edukimit. Duke ndihmuar rininë sot, kemi ndihmuar të ardhmen e kombit tonë. Duke ndihmuar ekselencën kemi ndihmuar trurin e kombit tonë.

Im atë, ka qenë shumë i apasionuar pas edukimit. Gjithë jetën e tij e kishte merak dhe është përpjekur të bëjë gjithçka që fëmijët e tij të edukoheshin. Unë vij nga një familje e persekutuar nga diktatura komuniste, pasi gjyshi im Cen Smajl Dauti ishte burgosur nga regjimi komunist me akuzën “Agjitacion dhe Propagandë kundra partisë komuniste”. Gjyshi im ishte njeri pa shkollë por shumë i zgjuar. Ai ishte i njohur në të gjithë zonën për vargjet dhe analizat satirike që u bënte vendimeve dhe drejtuesve të partisë komuniste në Shqipërinë diktatoriale.

Si shembull po përmendi rastin kur fshatareve u ishte dhënë urdhër nga partia komuniste që të dorëzonin produktet e tyre bujqësore tek koperativa e fshatit. Gjyshi im merr një thes me fasule dhe shkon tek dera e kryetarit të koperativës, ulet këmbëkryq, hap thesin dhe fillon të ndajë kokrrat e fasules një nga një duke mbajtë kokrrat e zeza (që ishin shumë pak) për vete dhe të bardhat duke ja kaluar thesit të koperativës. Ai u ul aty për orë të tëra, duke ndarë në mënyrë ironike kokrrat e fasuleve me fjalët: “e zeza për mua, e bardha për Enverin.” Ne nje rast tjeter, kur një udhëheqës i lartë i partise komuniste, Gogo Nushi, kishte vizituar Hasin, ai kishte pyetur me kureshtje se “çfarë pemesh ishin ato që dukeshin në kodrat e zonës?” dhe gjyshi im i ishte përgjigjur se ato ishin ullishte, por në të vërtetë ato ishin dëllinja. Për shkak të klimës së ftohtë dhe të ashpër ështe a padëgjuar që ullinjët të rriten në rrethin e Hasit por udhëheqësi i partisë kishte turpëruar veten duke rënë pre e lojës së gjyshit dhe në fjalimin e tij para fshatareve ai përmend se sa i impresionuar ai ishte me ullishtet e Hasit. Sistemi komunist nuk i donte njerëzit që mendonin të lirë, që kishin guxim për të thënë disa të vërteta që as njerëzit e partisë nuk i mendonin dot.

Sistemi komunist i ndëshkonte jo vetëm ata që i konsideronte fajtorë por edhe të afërmit dhe pasardhësit e tyre.

VIZIONI I BABAIT ISHTE PROFETIK

Fatkeqësisht, gjyshi im pagoi një çmim shumë të lartë për talljet e tij me regjimin komunist duke vuajtur shumë vite në burgjet e Enverit. Im atë ishte shumë krenar për mençurinë dhe bëmat e gjyshit por ai ishte shumë i shqetësuar se “biografia e keqe” nuk do të lejonte që femijet e tij të shkolloheshin. Kur isha ne shkolle fillore shume njerez me thoshin se kot po lodhesha duke studiuar se kurrë nuk do shkoja në univeristet për shkak të biografisë së keqe. Pavarësisht nga kjo, babai ishte inkurajuesi dhe mbështetësi im më i madh. Edhe pse në diktaturë, ai e ndjente lirinë në shpirtin e tij. Ai gjithmonë më thoshte të mos dekurajohesha nga biografia e keqe por të fokusohesha në shkolle dhe të merrja notat më të mira pasi ai kishte besim se kohët do ndryshonin dhe unë do të kisha mundësi të shkoja në universitet. Babai gjithmone ka qenë frymëzim lirie e shprese për mua dhe po të mos ishte inkurajimi i babait – unë kurrë nuk do të kisha arritur as 10% të gjërave që kam arritur në jetë.

Vizioni i babait tim ishte vërtet profetik pasi kohët ndryshuan dhe me shëmbjen e komunizmit e drejta e shkollimit nuk varej më nga biografia por nga meritokracia. Babai kishte një mendje brilante dhe një shpirt fisnik. Ishte largpamësia dhe mbështetja e gjithanshme a babës dhe besimi i tij së arsimimi është arma më e fuqishme në jetë, që kanë bërë të mundur për mua të jem ai që jam sot. Prandaj në kujtim të tij dhe të vizionit të tij, unë kam krijuar Fondacionin “Brahim Cen Dauti” që do të fokusohet në mbështetjen e shkollimit të studentëve të shkëlqyer të cilët nuk i kanë kushtet ekonomike për të ndjekur studimet universitare.

Një nga projektet fillestare është krijimi i bursës “Brahim Cen Dauti” që për çdo vit do ti jepet nxënësit më të mirë dhe më në nevojë ekonomike që ka përfunduar arsimin e mesëm në rrethin e Hasit. Fituesi i bursës “Brahim Cen Dauti” do ti ketë të gjitha shpenzimet e mbuluara (tarifën e studimeve si dhe shpenzimet e ushqimit dhe strehimit) për të gjithe periudhen e studimeve universitare. Fondacioni ka siguruar burime financiare të mjaftueshme për të sponsorizuar bursën për shumë vite dhe ne shpresojmë që me kalimin e kohës të sigurojmë burime financiare shtesë për të ndihmuar jo vetëm studentët e Hasit por edhe ata nga zonat e tjera te varfera të Shqipërisë. Zhvillimi e përparimi i kombit tonë do të vijë vetëm nëpërmjet zhvillimit të arsimit e krijimit të një infrastrukture sa më bashkëkohore për studentët shqiptarë dhe Fondacioni “Brahim Cen Dauti” do të përpiqet të kontribuojë me gjithçka çfarë mundet.