Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe u zotua se LSDM, me vëmendje do ta ndjekë të gjithë procesin e gjykimit për tragjedinë në Koçan.
Ai nënvizoi se opozita do ta kundërshtojë çdo tentim për manipulim për fshehje të së vërtetës apo drejtësisë, ndërsa tha se do të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat demokratike që të hetohet çdo detaj i kësaj tragjedie.
Filipçe bëri thirrje që procesi të zhvillohet në mënyrë të hapur dhe transparente.
“Kërkoj dhe pres që procesi të udhëhiqet në mënyrë të hapur, transparente dhe përpara syve të opinionit. Këtë ua kemi borxh prindërve, të gjithë qytetarëve dhe ia kemi borxh të gjithë shoqërisë. Ky është një test i pjekurisë së shoqërisë… Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat demokratike që ky rast të hetohet çdo detaj i kësaj tragjedie”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së./ Alsat.mk

