Propozim i LSDM: Xhaferi kryeministër, Mitrevski kryetar i Kuvendit? BDI ende nuk ka përgjigje!
Varianti më serioz për zbatimin e marrëveshjes së Përzhinës është që kryeministër teknik të jetë Talat Xhaferi nga BDI, ndërsa kryetar i ri i Kuvendit Jovan Mitrevski nga LSDM. Kështu bëri të ditur dje emisioni 360 gradë, ndërsa burime partiake për TV21 nga LSDM thonë se propozimi është në prag të miratimit dhe është në pritje të dritës jeshile nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Deri më tani në publik janë shfaqur disa emra për kryeministra teknikë.
Xhaferi kryeministër, Mitrevski kryetar i Kuvendit?
Nënkryetari i LSDM-së, Stefan Bogoev, është i sigurt për fitoren në zgjedhje.
“DPMNE dhe Levica duan të na kthejnë në kohën e regjimit të Gruevskit, ku të rinjtë nxirrnin pasaporta bullgare për t’u larguar nga vendi, ishim në grindje me fqinjët tanë dhe të izoluar nga bota. Edhe qytetarët e njohin këtë dallim dhe prandaj jam i sigurt për fitore të dyfishtë në zgjedhjet në Frontin Europian”, tha Stefan Bogoev, nënkryetar i LSDM-së.
Në fitore besojnë edhe kundërshtarët e tyre nga VMRO-DPMNE.
“Ne do ta pranojmë çdo zgjidhje, sepse jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje dhe jemi të sigurt se qytetarët do të kenë mundësi të votojnë atë tek i cili kanë më shumë besim dhe jemi të bindur se kjo do të jetë VMRO-DPMNE”, deklaroi Stefan Andonovski, VMRO-DPMNE.
Nesër në mesditë në Kuvend është caktuar takimi i liderëve, ku praninë e tyre e konfirmuan dy partitë më të mëdha politike maqedonase. Do të dakordohet data e zgjedhjeve dhe do të diskutohet aplikimi i vërejtjeve nga OSBE dhe ODIHR. Partitë pritet të zyrtarizojnë 8 majin si datë për zgjedhje, ndërsa Maqedonia do të duhet të ketë qeveri teknike më 28 janar. Kjo do të thotë gjithashtu se zgjedhjet duhet të shpallen në fund të shkurtit.
Sipas kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ka hapësirë të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare në maj të vitit të ardhshëm. Kovaçevski bëri të ditur se në mbledhjen e Kuvendit në dhjetor do të përcaktohen të gjitha detajet rreth mbajtjes së zgjedhjeve.
Sipas kreut të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, data e zgjedhjeve është objekt i konsensusit dhe duhet të finalizohet dhe të saktësohet. Partia mendon se nuk ka më nevojë për ekzistimin e qeverisë teknike.