Rajon - Botë

Izraeli bie dakord në parim me Elon Musk që të mos i ofrojë internet Gazës pa miratimin e Tel Avivit

Ministri izraelit i Komunikimit, Shlomo Karhi, njoftoi se ata ranë dakord në parim me miliarderin amerikan, Elon Musk, dhe sistemin satelitor të internetit Starlink, të cilin ai e zotëron, për të mos ofruar internet satelitor në Rripin e Gazës të bllokuar pa miratimin e Tel Avivit, transmeton Anadolu.

Ministri i Komunikimit Karhi ka bërë një deklaratë lidhur me këtë çështje në platformën sociale “X”.

“Elon Musk, ju përgëzoj për arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme paraprake me Ministrinë tonë të Komunikimit. Si rezultat, sistemi i internetit satelitor Starlink nuk mund të operohet në Izrael pa miratimin e Ministrisë së Komunikimit. Kjo përfshin edhe Rripin e Gazës”, ka thënë Karhi.

Ministri Karhi theksoi në postimin e tij se “ky mirëkuptim është i një rëndësie jetike kur bëhet një luftë kundër Hamasit”.

Musk nuk ka bërë ende një deklaratë për këtë çështje.

Izraeli njoftoi më 18 tetor se filloi negociatat me SpaceX, një kompani në pronësi të Elon Musk, për përdorimin e sistemit të internetit satelitor Starlink.

Elon Musk kishte njoftuar se do të ofronte mbështetje për lidhjen satelitore për Gazën

Pasi Izraeli ndërpreu plotësisht shërbimet e komunikimit fiks, celular dhe të internetit në Rripin e bllokuar të Gazës, qindra përdorues në platformën sociale “X” kërkuan që sistemi satelitor Starlink të vihej në shërbim për koordinimin e ndihmës humanitare.

Pas kësaj, Musk njoftoi në deklaratën e tij nga X më 28 tetor se kompania e sistemit të internetit satelitore Starlink që ai zotëron do të ofrojë shërbime lidhjeje për organizatat e njohura ndërkombëtare të ndihmës në Rripin e Gazës.

Ministri izraelit i Komunikimit, Shlomo Karhi, kishte reaguar ndaj përpjekjes së Elon Musk, pronarit të kompanive Tesla dhe SpaceX, për të ofruar internet për organizatat ndërkombëtare të ndihmës në Rripin e Gazës dhe kishte njoftuar se ata do të luftonin kundër përpjekjeve për të ofruar internet në Gaza.