Maqedoni

Bytyqi: Mbi 400 mijë qytetarë do të përfitojnë nga masat e reja anti-krizë

Mbi 400 mijë qytetarë – pensionistë, nxënës, studentë, prindër vetushqyes, do të përfshihen me masat anti-krizë që do të miratohen nesër në seancë qeveritare.

Këtë e tha zv.kryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, duke folur për masat e reja që duhet t’i miratojë qeveria. I pyetur se sa kompani janë bllokuar për shkak të mos pagesës së tatimit solidar, Bytyqi tha se sipas të dhënave të fundit numri i tyre është nën 20.
Ai tha se ende nuk janë bllokuar të gjitha kompanitë dhe se numri ndryshon çdo ditë.

“Mjetet do të përdoren për masat kundër krizës që presim të jenë nesër në seancën e Qeverisë dhe në shënjestër janë kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, këtu përfshihet grupi më i madh i qytetarëve, pensionistët, të cilët do të marrin një kompensim të caktuar për disa muaj, si dhe nxënësit, studentët, prindërit e vetëm etj”.
“Pra, kategoritë më të rrezikuara, mbulimi do të jetë vërtet i madh, mbi 400 mijë qytetarë do të mbulohen nga masat, prandaj janë përdorur fondet nga taksa e solidaritetit”, tha Bytyqi.