Vazhdon marrëveshja e armëpushimit Izrael-Hamas
Në ditën e dytë të armëpushimit, Hamas liroi 17 pengje, 13 prej tyre izraelitë, ndërsa Izraeli liroi 39 të burgosur. Këmbimi i pengjeve me të burgosurit u krye pas vonesave disa orëshe, për shkak se Hamasi e akuzoi Izraelin e se kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Pengjet e lëshuara nga Hamasi, mbas vizitave mjekësore, nuk kanë nevojë për ndërhyrje emergjente, sipas mjekut Pesak.
“Mbrëmë, pas një periudhe shumë konfuze dhe stresuese rreth orës 03:30 të mëngjesit, morëm këta 12 robër, fëmijë dhe gra që u kthyen. Ata iu nënshtruan një vlerësimi mjekësor dhe një vlerësimi psikologjik. Jam i lumtur të them se pavarësisht kushteve të ashpra në të cilat kanë qenë dhe përvojës së robërisë, ata nuk kërkuan ndonjë ndërhyrje mjekësore emergjente,” tha Dr.Itai Pessach, Spitali Sheba, Izrael.
Në ditën e tretë të armëpushimit, Izrael-Hamas përgatiten të lirojnë të tjerë të burgosur dhe pengje. Zyra e Netanyahut njoftoi se e ka marrë një listë të re të pengjeve të cilat do të lirohen. Sipas Klubit palestinez të të Burgosurve, një grup mbrojtës, Izraeli po mban 7,200 palestinezë.
Qytetarët në Bregun Perëndimor kërkojnë të lirohen të gjithë të burgosurit palestinezë dhe të ndalojë pushtimi.
“Ne kërkojmë që të gjithë të burgosurit tanë të lirohen nga burgjet dhe që asnjë i burgosur të mos mbetet në burg. Gjithashtu kërkojmë që pushtimi të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Sonte, pushtimi kreu një katastrofë në Jenin. Ka të vdekur dhe të plagosur, dhe çdo natë ushtria sulmon Jenin, dhe shumë të tjerë,” tha një qytetar në Bregun Perëndimor.
Ndërkohë, Hamasi njoftoi se njëri prej komandantëve të vet më të lartë është vrarë në luftë me Izraelin. Grupi radikal njoftoi për vdekjen e Mahmed al-Ghandour, pa treguar se kur dhe ku u vra ai. Al-Ghandour ishte anëtar i lartë i grupit të armatosur dhe komandanti kryesor i Hamasit në veri të Rripit të Gazës.