Rajon - Botë

BE-ja dërgon roje kufitare në Finlandë

Agjencia e Bashkimit Evropian për mbrojtje kufitare, Frontex, njoftoi se do të dislokojë 50 oficerë në Finlandë, shtet që ka shënuar rritje të emigrantëve në kufirin lindor me Rusinë.

Përveç rojeve kufitare dhe stafit tjetër, Frontex po ashtu tha se do të dërgojë pajisje, sikurse makinat patrulluese “për të rritur kontrollin e aktiviteteve në kufirin e Finlandës”.

Përforcimet pritet të dërgohen në Filalandë “javën e ardhshme”, u tha në njoftim.

Të mërkurën, Finlanda tha se do të mbyllë të gjitha pikëkalimet kufitare në veri me Rusinë, përveç kufirit më verior, pasi regjistroi një rritje të emigrantëve ilegalë.

Helsinki tha se Moska ka faj, me kryeministrin finlandez, Petteri Orpo, që akuzoi autoritetet ruse për lehtësim “sistematik dhe të organizuar” të kalimeve ilegale të kufirit.

Kreu i Frontex-it, Hans Leijtens, nuk përmendi me emër Rusinë, por në deklaratë tha se agjencia po forcon mbështetjen për Finlandë, e cila po përballet “me sfida hibride”.

“Ky bashkëpunim tregon se kur përballemi me sfida të ndërlikuara në kufi, Evropa qëndron e bashkuar dhe ofron ndihmë”, tha ai.

Ftontex aktualisht ka 10 zyrtarë që punojnë në kufijtë e Finlandës.

Finlanda ka një kufi prej 1.300 kilometrash me Rusinë. Raportet e Helsinkit me Moskën janë përkeqësuar që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar, gjë që shtyri Finlandën të anëtarësohej në prill në aleancën e NATO-s.