Në Junik u fermentua ideja e shtetndërtimit shqiptar
Kuvendi i Junikut, të cilin sot e kujtojmë si një ngjarje me dimensione madhore kombëtare, duhet shikuar në dy kontekste kohore. Në kohën kur ai u mbajt, më 21 – 25 maj 1912, si përgjigje e drejtpërdrejt e Lëvizjes kombëtare shqiptare për të ndryshuar gjeopolitikën rajonale në favor të çështjes shqiptare, dhe në kohën e sotme, kur një Kuvend i tillë na mungon, jo thjesht si një kopje, por si model frymëzimi për të tejkaluar bajraktarizmat dhe krahinorizmat e panevojshëm.
Nëse para 109 viteve Hasan Prishtina përmes Kuvendit të Junikut arriti të mobilizojë ndërgjegjen kombëtare në mbrojtjen e interesave vitale të shqiptarëve, duke e trajtuar hapësirën kombëtare si një dhe të pandarë, territorialisht dhe kombëtarisht, sot kemi nevojë për një mobilizim tjetër, që do ta bënte hapësirën tonë kombëtare më dinamike në planin e bashkëpunimit dhe kohezionit etno-kulturor.
Po qe se i analizojmë me kujdes 12 pikat e Kuvendit të Junikut, do të vërejmë një aspiratë sublime që kishte synim të vetëm mëvetësinë politike të shqiptarëve nga sundimi i huaj, në njërën anë, dhe kundërshtimi me forcë i ambicieve ekspansioniste të shteteve fqinje për ta dezintegruar tërësinë territoriale të kombit shqiptar, në anën tjetër.
Pavarësia e Shqipërisë që ndodhi më 28 nëntor 1912, nuk erdhi vetvetiu, pasi që ishte Kuvendi i Junikut dhe ideologu Hasan Prishtina që trasuan politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht synimin final independist.
Për rrjedhojë, nëse në të kaluarën me të drejt është thënë se Kosova është djep i shqiptarizmës, sot kësaj thënie do të duhej t’ia shtojmë edhe Kuvendin e Junikut, i cili mbi djepin e shqiptarizmës këndoi ninullën e kushtrimit kombëtar, ku Hasan Prishtina ishte zëri më artikulues i këtij kushtrimi.
Rëndësia historike e Kuvendit të Junikut duhet shikuar në dy plane: në planin e parë ai shërbeu si hallkë e ngjarjeve të mëdha në mes të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si strumbullar i saj dhe në planin e dytë, të fazës së finalizimit të aspiratës kombëtare shqiptare për shtendërtim, por me një kurs gjeopolitik që ishte në koherencë me pacenueshmërinë e hapësirës kombëtare shqiptare, duke e zgjeruar gamën e zhvillimeve në hapësirat etnike të Vilajetit të dikurshëm të Kosovës, me Shkupin si epiqendër e kësaj gjeopolitike kombëtare.
Prandaj, jorastësisht hapi i radhës që erdhi pas Kuvendit të Junikut, ishte marshimi i kryengritësve shqiptarë drejt Shkupit dhe çlirimi tij në gusht të 1912-tës, si parakusht për krijimin e rrethanave që ky qytet të jetë piemonti i ardhshëm shtefromues i shqiptarizmës.
Kjo lidhshmëri e ngjarjeve e proceseve që u prodhuan pas Kuvendit të Junikut, nuk ishte aspak e rastësishme dhe duhej të ishte një mendje gjeniale si ajo e Hasan Prishtinës për të projektuar arkitekturën e ardhshme të shtetit shqiptar, e cila fatkeqësisht mbeti projekt i papërfunduar për shkak të rrethanave që u krijuan e që ishin në disvafor të këtij projekti.
Ajo çka duhet të nxjerrim mësim nga mesazhi dhe fuqia ndikuese e Kuvendit të Junikut në përshpejtimin e proceseve historike në fillim të shekullit 20-të, është aftësia për t’i shndërruar ngjarjet tona të mëdha kombëtare në fermentuese të ideve të reja, si nga politikanët, ashtu edhe nga studiuesit.
Kuvendi i Junikut para 109 viteve mblodhi shqiptarët e të gjitha viseve, pa dallim feje, ideologjie apo krahine dhe ky është mesazhi tjetër që mund t’i shërbejë politikës aktuale shqiptare që ta nxjerr politikbërjen nga provincializmi dhe feudalizmi krahinor dhe ta vendos atë në epiqendrën e interesimit gjithëkombëtar, ashtu siç veproi dikur truri i shqiptarizmës – Hasan Prishtina.
Ju faleminderoj!
Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup