Bajram Mulaku është nder i Vushtrrisë
Gëzim Saraçi
Se po jetojmë në një kohë në të cilën çdo vlerë baltoset pamëshirshëm, kjo nuk do diskutim, por është detyrë mbi detyrat, për secilin prej nesh, që ta themi dhe ta mbrojmë të vërtëtën dhe drejtësinë, kudo. Sepse, siç thoshtë, filozofi i njohur Spinoza: “E vërteta dhe drejtësia rrinë krahas Zotit”.
Është e qartë se po i afrohemi fushatës zgjedhore dhe është normale që politikanët me çdo veprim duan të përfitojnë politikisht. Veprimet a mosveprimet e politikanëve në pushtet janë çdoherë më të dukshme, sepse siç thoshte Charl De Gol: “Të qeverisësh do të thotë të zgjedhësh midis disavantazheve”. Rëndom, në të gjitha shtetet demokratike, kur këta politikanë bëjnë një punë të mirë, për të cilën janë të thirrur, por edhe paguhen nga shteti, ata kritikohen se atë po e bëjnë për përfitime politike, e kur bëjnë ndonjë veprim të gabueshëm ata kritikohen se po e dëmtojnë vendin. Ndërkaq, në qytetin tonë, ndodh e kundërta. Në rastet kur kryetari i komunës bënë gabime, “kundërshtarët” politikë i qëndrojnë në krah, e kjo ndodhi shumë shpesh gjatë qeverisjes lokale, gati katërvjeçare. Ndërkaq, në rastet kur ai bënë diçka të mirë, pothuaj të gjithë kundërshtarët politikë i bëhen bashkë kundër.
Rasti i fundit, ai i propozimit të z. Bajram Mulaku, për dhënien e çmimit “Nderi i qytetit” është rast për t’u veçuar. Në këtë rast do të veçoja një thënie të Nocolo Makiavelit, i cili thoshte: “Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt”.
Një jetëshkrim i shkurtë për Bajram Mulakun
Bajram Mulaku u lind më 20.10.1948, në fshatin Ceceli të Vushtrrisë. Përfundoi Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore, Drejtimin e Matematikës, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1974. Magjistroi në lëmin e matematikës në Universitetin e Prishtinës.
Veprimtarinë dhe angazhimin e tij në interes kombëtar e filloi qysh si student i vitit të parë, duke qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i demonstratave të vitit 1968. Bajram Mulaku ishte themelues i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, e cila ishte dega e parë e themeluar në Kosovë. Ishte zgjedhur nënkryetar i degës së LDK-së, më vonë ishte zgjedhur edhe kryetar i kësaj dege. Bajram Mulaku ishte i angazhuar edhe si anëtar i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve, që vepronte në Vushtrri.
Në fund të vitit 2007, Bajram Mulaku, si kandidat i PDK-së, ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Vushtrrisë, pozitë të cilën e mbajti deri ne fund të vitit 2017, duke u zgjedhur apo rizgjedhur nga qytetarët e Vushtrrisë për tri mandate radhazi. Kontributi i tij si kryetar i Komunës së Vushtrrisë është i njohur për të gjithë qytetarët.
Personalisht e vlerësoj lart propozimin e kryetarit, z. Xhafer Tahiri, për dhënien e çmimit “Nderi i qytetit” z. Bajram Mulaku, duke e vlerësuar si një nga punët e mira që i ka bërë gjatë qeverisjes së tij. S’ka si të jetë ndryshe, kur ndiqet shembulli i Bajram Mulakut, i cili kishte nderuar po me këtë çmim z. Hajzer Krasniqi, ish-kryetar i LDK-së dhe ish kryetar i Komunës.
Ishte një propozim i arsyeshëm, me të cilin do ta nderonte shumë një ish-kryetar komune, i cili dhjetë vite udhëhoqi Vushtrrinë, por e mirëkuptoj edhe refuzimin e z. Bajram Mulaku, ngase ai asnjëherë nuk lejoi që të jetë shkak i përplasjeve politike, e aq më pak kjo të bëhet për një çmim, të cilin qytetarët e Vushtrrisë ia kanë dhënë me besim për dhjetë vjet radhazi.
Në refuzimin e tij, z. Bajram Mulaku ka falënderuar sinqerisht kryetarin e Komunës, z. Xhafer Tahiri dhe iniciuesit e këtij propozimi, duke i thënë se refuzimi nuk ka të bëjë me asgjë me atë, por bëhet për çështje personale.
Personalisht vlerësoj se ky veprim nuk do t’i sillte askujt përfitime politike, sepse z. Tahiri, por edhe “kundërshtarët” sporadikë politikë, kanë aq shumë gabime, saqë qytetarët e Vushtrrisë, do ta kenë të vështirë të zgjedhin të keqën më të vogël në këto zgjedhje që po vijnë.
Për fund, edhe z. Bajram Mulaku gjatë qeverisjes së tij dhjetëvjeçare pati plot gabime, por puna e tij përgjithësisht ishte e mirë dhe sot jeton me ndërgjegje të pastër, duke gëzuar respekt të veçantë te qytetarët e Vushtrrisë. Padyshim, ai qeverisi me PDK-në dhe të punosh me disa njerëz të PDK-së është jashtëzakonisht gjë e vështirë, e për këtë mund të flasin vetëm ata që kanë punuar me ta, por që kanë punuar ndershëm.