Rajon - Botë

Borrell: Disa vende ballkanike nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën e BE-së dhe sanksionet

Situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë. Këto do të jenë temat kryesore në takimin tradicional që e organizon përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell me kryedipomatët evropian dhe homologët nga Ballkani Perëndimor. Takimi është caktuar të mbahet pasdite.

JOSEP BORRELL, PËRFAQËSUESI I LARTË I BE-SË PËR POLITIKË TË JASHTME DHE SIGURI

“Do të diskutohen edhe propozimet e Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit dhe do të insistohet në afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, tha se zgjerimi i BE-së është një çështje kyçe gjeopolitike për stabilitetin dhe paqen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

ANNALENA BAERBOCK, KRYEDIPLOMATE GJERMANE

“Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit”.

Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit.