Kulturë

Shtëpia e fëmijërisë time

Burhan Ahmeti

Rreth kësaj shtëpie po rrotullohen shumë kujtime të fëmijërisë time.
E lyer me ngjyrë të bardhë gëlqereje dhe e kombinuar me të gjelbër të çelë dukej sikur qëndronte ballëlartë.
Çdo mëngjes kjo shtëpi ngrihej krenare, i jepte jetë prezenca e gjyshit dhe gjyshes. Sa herë që vinte pranvera oborri i kësaj shtëpie mbushej me gjallëri dhe freski të rrallë.
Afër kësaj shtëpie kishte lule të shumta, trëndafila dhe pemë që buçonin një aromë e cila përhapej ngado në lagje.
Shtëpitë e vjetra nuk janë të zbrazura, ato janë të stërmbushura me kujtime, me jehonat e zbehura të zërave që dikur iu jepnin gjallëri. Pika lotësh, pika gjaku, të qeshura dhe ndodhi që derdheshin midis mureve ndër vite.
Kjo shtëpi para se të shembej, dikur ajo merrte frymë, atë e mbanin gjallë ca drunjë dhe gurë, tulla me llaç me një ego që ishte gati shumë njerëzore.
Unë mund të vij dhe shkoj nga shumë shtëpi, mund t’a braktis një dhomë, një shtëpi apo një qytet, por kjo nuk do të thotë që ato vende do më braktisin mua. Edhe pse nuk egziston më, unë kurrë nuk largohem plotësisht nga kjo shtëpi ku u linda dhe u rrita, ajo më ndjek kudo si hije duke më pritur në mjegull.
Kjo shtëpi dikur i kishte akumuluar të mirat dhe të këqijat e jetës, andaj nuk mund t’a harroj.
Kjo shtëpi dhe shumë shtëpi të vjetra janë inspirim për krijimtarinë time artistike.