Maqedoni

Fronti Opozitar: BDI-ja presione Supremes ta rikthejë amnistinë e Ivanovit, kemi dëshmi

Fronti opozitar njofton se ka siguruar nga denoncuesit e tyre informacionin se një kërkesë e re po përgatitet në adresë të një gjykatësi tjetër të Gjykatës supreme, për të rikthyer në fuqi faljen e ish presidentit Gjorge Ivanov me të cilën faleshin shumë ish funksionarë.

Sipas tyre, presionin e ushtron BDI-ja dhe disa eksponentë të saj, me qëllim që të falet dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski.

Një kërkesë e tillë ishte dorëzuar dhe pak kohë më parë, por avokati që e dorëzoi, e tërhoqi atë pas presionit publik.

“BDI-ja dhe disa individë të caktuar që janë instaluar në kryesinë e kësaj partie vazhdojnë të ushtrojnë një presion të paprecedentë ndaj gjykatësve në këtë gjykatë duke dëshmuar kështu se janë kthyer nga një parti politike në një titan dhe se me forcën e pushtetit të tyre politik dëshirojnë të vrasin çdo shtyllë të demokracisë. Kjo nuk është për t’u çuditur aspak por është një indikator që duhet të shërbejë si vetëdijesim për të gjithë ne, që kjo parti politike është shndërruar në një sinonim të hipokrizisë duke vepruar kundër çdo vlere evropiane, teksa thirret në të njëjtat”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, Fronti opozitar./ Alsat.mk