Maqedoni

Jankolloska lihet e lirë, kushtëzohet që mos ta përsërisë veprën e njëjtë

Pasi fillimisht i shteroi të gjitha mundësitë ligjore për të shtyrë hyrjen në burg, ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, pas vujtjes së dënimit tre vjet e një muaj në burgun e Idrizovës për rastin “Tanku”, ajo përfundimisht lihet e lirë. Këtë asaj ia mundësoi Gjykata e Apelit, vetëm duke e kushtëzuar që nuk do ta përsëris veprën e njejtë deri në tetor të vitit të ardhshëm, edhe pse ajo tashmë nuk e ka as pozitën, as autoritetin që e ka pasur kohën kur e ka kryer veprën penale.

Në arsyetimin e Gjykatës për marrjen e këtij vendimi, theksuan se janë marrë parasysh rrethanat si: Jankulloska është nënë e një fëmije pesëvjeçar, ka respektuar të drejtat dhe detyrimet që dalin nga rregullorja e shtëpisë së burgut, është përshtatur në mjedisin e shtëpisë në të cilin kishte marrëdhënie sa më miqësore me personat e tjerë të dënuar dhe nuk ka shfaqur sjellje të dhunshme dhe konfliktuale.

Ajo në vitin 2018 u dënua me 6 vjet burgim për shpërdorim të detyrës në aferën e njohur me emrin “Tanku”, por po e njejta gjykatë, ajo e Apelit më pas ia pati ulur dënimin në 4 vjet. Jankullovska ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë edhe gjatë seancës për këtë rast, por edhe pasi denimi për të u bë i plotëfuqishëm që mos të hyjë menjëherë në burg, fillimisht përshkak se ishte shtatzënë, më pas për shkak se ajo lindi foshnje, duke vazhduar me atë që e kishte fëmijën e vogël. Jo pak reagime kishte për trajtimin ‘special’, të Jankullovskës, madje këtë e pati vënë në pah edhe prokurori i lëndës Gavrill Bubevski.

Ajo është e akuzuar edhe në lëndë të tjera si rasti “Titanik1” dhe “Target-Fortesa”.

Atëkohë kur nisën procedurat gjyqsore kundër saj, Jankullovska deklaronte se nuk ndihej fajore për veprat e bëra. Por, më vonë, në seancë gjyqsore ajo e pranoi fajin dhe për rastin “Titanik 1” që ka të bëjë me krimet kundër zgjedhjeve dhe votimin në zgjedhjet parlamentare të 2011 dhe 2014 dhe zgjedhjet lokale të 2013, u denua me 2 vjet e 6 muaj. Por, më vonë, Apeli uli denimin për të, duke i dhënë denim me kusht.

Në rastin Target –Fortesa që kishte të bëjë me përgjimet e paligjshme, Jankullovska ishte e denuar me 4 vite burg, mirëpo ky rast pati rigjykim dhe nuk do të vazhdoj më, pas ndryshimeve të Kodit Penal, me çka u mundësua vjetërimi i kësaj lënde.

Jankullovkska vazhdimisht ka qenë në shënjestër të kritikave, në veçanti të opinionit shqiptar, për shkak të ofendimeve në adresë të shqiptarëve, të cilët në disa raste i ka quajtur “indianë”, gjë e cila ishte dëgjuar edhe në inçizimet e ashtuquajturave “bomba”.