Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për konfliktin Palestinë-Izrael
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën për të diskutuar për çështje të tilla si konflikti Palestinë-Izrael, dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza si dhe çështja e Ukrainës dhe Karabakut, transmeton Anadolu.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në një deklaratë para Takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së që mbahet në Luksemburg, tha se është i nevojshëm dërgimi i ndihmave urgjente humanitare në rajon pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit dhe bombardimit më pas të Gazës nga Izraeli.
Borrell rikujtoi se para konfliktit të fundit në drejtim të Gazës kanë hyrë mbi 100 kamionë me ndihma. “Lejimi i 20 kamionëve në ditë nuk është i mjaftueshëm”, tha Borrell i cili vuri në dukje rëndësinë e lejimit urgjent të kamionëve që janë në pritje dhe plotësimit të nevojës për karburant, ujë dhe energji elektrike.
Ai theksoi se në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm do të marrë pjesë edhe komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç. Duke folur se duhet të ndërpriten konfliktet për dërgimin e ndihmave humanitare, Borrell tha: “Sot do të diskutojmë edhe thirrjen e OKB-së për ndalimin e konfliktit. Kjo në të njëjtën kohë është e nevojshme dhe për pengjet”.
Borrell shpjegoi se prioritet është situata humanitare dhe se më pas duhet të mendohet se si të rigjallërohet Procesi i Paqes në Lindjen e Mesme i cili prej një kohe të gjatë është lënë mënjanë.
– “Duhet të tregojmë se kemi të njëjtin shqetësim për çdo civil”
Borrell tha se duhet të mbahet i njëjti shqetësim për të gjithë civilët e vrarë pa bërë dallime palestinez apo izraelit.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të tregojmë se kemi të njëjtin shqetësim për çdo civil të vrarë. Duhet të tregojmë të njëjtin shqetësim. Ndaj Izraelit duhet të tregojmë mbështetjen tonë të fuqishme, sepse janë përballur me një prej sulmeve më të mëdha ndaj komunitetit hebre. Kjo duhet të dënohet dhe ne e kemi dënuar. Por, në të njëjtën kohë jemi të detyruar të kemi parasysh se janë vrarë edhe civilë të pafajshëm palestinezë. Edhe ato janë viktimat e Hamasit. Duhet të kemi shqetësim për çdo civil të vrarë”, tha ai.
Në takimin e sotëm krahas zhvillimeve në Lindjen e Mesme do të diskutohet edhe për situatën në Ukrainë dhe Karabak. Ministrat e BE-së do të takohen me ministrat e Jashtëm të vendeve të Azisë Qendrore. Në këtë takim do të diskutohet që sanksionet e BE-së kundër Rusisë të zbatohen edhe nga vendet e Azisë Qendrore.