“Pse ndalesa e ushqimit dhe ilaçeve për banorët e Gazës nuk është krim lufte si në Ukrainë?”
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safedi, pyeti se pse ndalesa e ushqimit dhe ilaçeve për civilët në Rripin e Gazës nën bllokadën izraelite nuk konsiderohet krim lufte si në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Jordanisë njoftoi se Safedi foli për qasjet në lidhje me përleshjet që filluan midis Izraelit dhe grupeve palestineze më 7 tetor.
Pas konfliktit izraelito-palestinez, mediat evropiane pyetën sundimtarët arabë se “A e dënoni vrasjen e civilëve të pafajshëm?”, ka thënë Safedi.
Ai deklaroi se kanë dënuar aktin dhe se e kanë thënë hapur në takimin e ministrave të jashtëm të Ligës Arabe të mbajtur në Kajro, kryeqyteti egjiptian, disa ditë më parë.
Duke folur për standardin e tyre të dyfishtë ndaj luftës në Ukrainë dhe sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, Safedi tha:
“Njerëzit tanë po pyesin, pse është krim lufte t’u mohohet ukrainasve ushqimi dhe ilaçet, dhe pse nuk është krim lufte kur u mohohet banorëve të Gazës?”
Ai theksoi se duhet parë se cila është e drejta për vetëmbrojtje sipas ligjit ndërkombëtar.
“Le të flasim me logjikën e thjeshtë, a konsiderohet vetëmbrojtje vrasja e 4.000 palestinezëve dhe shkatërrimi i 98.000 shtëpive”, pyeti ai.
Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.
Konflikti në Gaza, e cila ka qenë nën bombardimet izraelite dhe një bllokadë që nga 7 tetori, filloi kur grupi palestinez Hamas nisi operacionin “Tufani i Al-Aksasë”, një sulm i papritur i shumëdimensional që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës.
Të paktën 4.137 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa më shumë se 1.400 izraelitë janë vrarë gjatë konfliktit.