Thaçit dhe Veselit u vazhdohet masa e paraburgimit
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vazhduar masën e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Vendimet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit, janë marrë nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III më 16 tetor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtyre vendimeve, më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.
Mbrojtja e Thaçit thuhet se ia kishte dorëzuar përgjigjet e tyre për këtë parashtresë më 29 shtator 2023, ndërsa ajo e Veselit më 5 tetor 2023.
ZPS kishte parashtruar se paraburgimi ndaj Thaçit vazhdon të jetë i arsyetuar dhe se nuk ka asnjë ndryshim që nga vendimi i fundit për parashkrim të kësaj mase si dhe ajo mbetet proporcionale.
Këtë gjë e kishte kundërshtuar mbrojtja e Thaçit.
Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia, megjithatë thuhet se paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast.
Kështu, thuhet se masa e paraburgimit zbutë rreziqet ekzistuese të komunikimit dhe ofrojnë garanci të fortë kundër vizitave të pamonitoruara dhe komunikimet me anëtarët e familjes dhe vizitorët tjerë.
Nëpërmjet këtij vendimi, DHSK ka udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të të praqes parashtresat për shqyrtimin e radhës të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit jo më vonë se më 24 nëntor 2023.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
NGA INTERNETI