Pendarovski kthen ligjin për ndërtimet e jashtëligjshme: Padrejtësia s’mund të bëhet drejtësi
Presidenti Stevo Pendarovski nuk do ta dekretojë ligjin për legalizimin e objekteve të jashtëligjshme dhe për këtë ai e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Sipas tij, Ligji për vërtetimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara në mënyrë joligjore është në kundërshtim me Kushtetutën dhe disa ligje.
Ligji, jo vetëm që i vendos qytetarët në një pozitë të pabarabartë, duke privilegjuar ata që nuk u përmbahen rregullave ligjore në dëm të qytetarëve të ndërgjegjshëm të cilët kanë vepruar në përputhje me ligjet në fuqi kur ndërtojnë objektet, por, edhe më shumë, stimulon mosrespektimin e dispozitave ligjore. (Kjo) u shkakton dëme të përhershme të gjithë atyre që përpiqen të ndërtojnë një shtet si një shtet demokratik bazuar në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarëve – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kabineti i Pendarovskit
Me nenin 41 të ligjit që parashikon ndërprerje të të gjithë procedurave administrative dhe ligjore për heqjen e objekteve ilegale, sipas Presidentit shkelet një nen tjetër i Kushtetutës, ai për ndarjen mes pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Zgjidhja ligjore e formuluar në këtë mënyrë ndërhyn në punën e gjykatave dhe siguron një amnisti “të fshehur” për autorët e krimeve në lidhje me ndërtimin e paligjshëm dhe abuzimin e detyrës. Kompetenca kushtetuese e Kuvendit, në përputhje me nenin 68 të Kushtetutës, për të dhënë amnisti është e padiskutueshme. Sidoqoftë, amnistia, siç kërkohet nga praktika legjislative, duhet të jepet nga një ligj i veçantë për amnisti – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kabineti i Pendarovskit.
Ligji, ka vlerësuar Presidenti, shkel edhe nenin kushtetues ku secilit i garantohet ambient i shëndetshëm jetësor meqë ai parashikon mundësinë për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme edhe në rezervat e rrepta natyrore, parqe kombëtar, parqe në natyrë, zona të mbrojtur, zona në brigjet e lumenjve dhe liqeneve, madje dhe në hapësira të trashëgimisë kulturore. Presidenti thotë se kultura ligjore është e rëndësishme drejt rrugës Evropiane dhe se nuk pajtohet me shndërrimin e padrejtësisë në drejtësi.
Ky nuk është rasti i parë kur një President kthen ligjin e miratuar nga Kuvendi gjithsesi është hera e parë e Presidentit Stevo Pendarovski. Pa firmën e tij, ligji nuk mund të publikohet në Gazetën Zyrtare. Në këtë rast, ligji kthehet në Kuvend në lexim të tretë dhe për rimiratim kërkon 2/3 e votave. Nëse kjo ndodh, Presidenti është i obliguar ta dekretojë atë.