Kosovë

Kreu sulm terrorist në Kosovë, Radoiçiqi mohon akuzat në prokurorinë serbe

Në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd sot është marrë në pyetje terroristi Milan Radoiçiq (45-vjeç) nën dyshimin se, me disa persona të panjohur ka kryer veprën penale të grupimit për kryerje të veprës penale të prodhimit, posedimit, bartjes dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Siç raporton mediumi i pavarur serb N1, Radoiçiq gjatë marrjes në pyetje ka mohuar kryerjen e veprave penale për të cilat ngarkohej.

Pas seancës, prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes.

Urdhri për kryerjen e hetimeve përfshin disa persona, për momentin, të panjohur, të cilët akuzohen për veprën penale të Veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Sipas urdhrit të hetimit, Milan Radoiçiq akuzohet se ka blerë armë, municion dhe lëndë plasëse të fuqisë së madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e BeH, nga janari 2023 deri më 24 shtator, të cilat i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit, kryesisht në lokacionin Bubanj Potok – Vrçin, të cilin më pas e ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në ndërtesa dhe pyje të braktisura, i cili si udhëheqës i një grupi me disa persona të panjohur, me veprim të përbashkët dhe përgjithësisht të rrezikshëm, më 24 shtator ka rrezikuar jetën e njerëzve në fshatin e Banjskës në Kosovë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë.

Në një letër të lexuar ditë më parë nga përfaqësuesi i Radoiçiqit, Goran Petronijeviq, nënkryetari i Listës Serbe mori përgjegjësinë e plotë për ngjarjet në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

“Po e informoj opinionin se më 24 shtator, së bashku me bashkatdhetarët kam ardhur në veri të Kosovës në rajonin e Banjskës”, ka thënë Radoiçiqi në atë deklaratë.

Siç ka shtuar ai, arsyeja e kthimit të tij në Kosovë ka qenë për të “inkurajuar popullin në rezistencën ndaj regjimit të Albin Kurtit”.

Të dielën, më 24 shtator, një polic i Kosovës u vra në fshatin Banjskë të Zveçanit, sulm i cili u pasua nga një aksion i njësive speciale të Policisë së Kosovës që synonte një grup të armatosur terrorist që tentoi të strehohej në manastirin e Banjskës. Në aksion u vranë tre terroristë serbë.

Milan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në fshatin Banjskë, thuhet në deklaratën e lexuar për media nga avokati i tij, Goran Petronijeviq. /Klankosova.tv