Franca përkujton këtë të enjte sulmet terroriste të Shtetit Islamik të 13 nëntorit të vitit 2015, ku u vranë më shumë se 130 persona dhe u plagosën rreth 400 të tjerë.
Këto ishin sulmet më vdekjeprurëse në vend që nga Lufta e Dytë Botërore dhe sollën terror dhe frikë në të gjithë Francën, duke nxitur masa emergjente sigurie, disa nga të cilat u kthyen në ligje.
Një kopsht përkujtimi i vendosur pranë Bashkisë së Parisit, hapet për të nderuar ata që humbën jetën dhe ata që mbijetuan.
Emrat e viktimave të gdhendur në gurë graniti janë vendosur rreth kopshtit, ndërsa një pemë ulliri është mbjellë në hyrje të tij.
Sulmi filloi me shpërthime vetëvrasëse me bomba jashtë stadiumit Stade de France, ku Presidenti i atëhershëm Francois Hollande dhe ministri i jashtëm gjerman po shikonin një ndeshje miqësore futbolli, dhe vazhdoi me persona të armatosur që hapën zjarr në pesë vende të tjera në qendër të Parisit.
Pak më vonë, persona të armatosur filluan të qëllonin bare dhe restorante në lagje të mëdha të kryeqytetit francez.
Ndërkohë në orën 9:40 të mbrëmjes, një grup xhihadistësh mbërriti në Bataclan, një teatër dhe vend argëtimi parizien. Makthi zgjat gati tre orë, derisa ndërhyjnë forcat speciale. 90 persona u vranë dhe 350 mbetën të plagosur. Nga të mbijetuarit e Bataclan, dy kryen vetëvrasje më pas si pasojë e traumave të forta.
Dhjetë vjet më vonë, kërcënimi i sulmeve të tilla në Francë është i ndryshëm. Sipas burimeve të sigurisë, grupet militante xhihadiste si Shteti Islamik nuk kanë më të njëjtat mjete për të koordinuar sulmet në tokën franceze.
Por propaganda online e grupit është ende efektive dhe në gjendje të radikalizojë të rinjtë e terhequr nga dhuna në mediat sociale. Prokurorët e antiterrorizmit këtë javë nisën një hetim ndaj ish-partneres të autorit të vetëm të mbijetuar të sulmeve, I cili aktualisht ndodhet në burg.

