Kosovë

Flet analisti serb: Vuçiq ra vetë në kurthin që ia përgatiti Kurtit

Analisti dhe gazetari serb, Branislav Kërstiq, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për situatën në veri pas sulmit terrorist, për të cilin përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiq.

Ai e sheh si fakt të rrezikshëm për dialogun incidentin që ka ndodhur në Banjskë dhe thotë se ai rast do ta përshpejtojë procesin e dialogut dhe situata në fushë ka ndryshuar.

“Incidenti nga Banjska është një fakt i rrezikshëm në procesin e dialogut. Situata në fushë ka ndryshuar. Ndoshta, të paktën kështu pres, Banjska do ta përshpejtojë procesin e dialogut. Është logjike që pas Banjskës, Beogradi të jetë më konstruktiv në negociata, ndër të tjera, për të shmangur sanksionet”, shprehet Kërstiq.

Sipas tij, gjatë tërë vitit Vuçiq ka bërë kurthe ndaj Kurtit, ndërsa tani ka rënë në kurthin e dikujt dhe kjo është vula e anijembytjes së Listës Serbe.

“Vuçiq gjatë gjithë këtij viti i ka bërë kurth Kurtit. Tani vetë Vuçiq ra në kurthin e dikujt, Beogradi duhet t’i përgjigjet shumë pyetjeve. Kjo është vula e anijembytjes së Listës Serbe dhe fundi i historisë së tyre. Njerëz të tjerë do të duhet të vijnë për të udhëhequr komunitetin serb”, vlerëson analisti serb për Gazeta Blic.

Ai shton se Kosova nuk duhet të gëzohet dhe të ndajë viktimat, pasi nuk është koha për shampanj

“Nuk është koha për shampanjë, Kosova nuk duhet të jetë një shoqëri ku ne të gëzohemi dhe të ndajmë sa janë viktimat tona dhe sa viktimat tuaja janë”, deklaron Branislav Kërstiq.