Maqedoni

A do të jetë LSDM pjesë e Frontit Evropian të promovuar nga Ali Ahmeti? Ja si përgjigjet Spasovski!

“Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi më i sigurt në Ballkanin Perëndimor dhe është në mesin e 36 vendeve më të sigurta në botë. Këto janë të dhënat dhe analizat që i bëjnë organizatat ndërkombëtare në pjesën e sigurisë”, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Duke folur për krimin kibernetik, Spasovski në intervistë për Frontllajn dhe CIVIL Media, potencoi se nëse i shohim rezultatet e këtij viti, do të shohim se kemi zvogëlim të krimit kompjuterik për 7,4 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Duke iu përgjigjur pyetjes për hetimet lidhur me përplasjet mes bandave kriminele në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në Kosovë dhe Greqi, ministri Spasovski e konfirmoi vendosmërinë e kësaj udhëheqësie të MPB-së që të ballafaqohet me strukturat kriminele, të cilat janë krijuar gjatë 30 viteve të kaluara, pa dallim se kush janë dhe prej nga vijnë.

“Kjo është hera e parë që po zhvillohet betejë kundër strukturave kriminele. Edhe në atë qëllim tonë, askush me asgjë dhe për kurrfarë qëllimi nuk mund të na ndal për shkak të asaj që vlerësojmë se siguria e qytetarëve është prioriteti i ynë kryesor. Ndryshe, lidhur me ngjarjet konkrete, unë mund të flas për ngjarje, të cilat kanë ndodhur në territorin e shtetit tonë dhe nuk mund të flasim për vrasjet në Greqi dhe Kosovë. Ato janë punë e organeve hetuese të atyre vendeve dhe ata duhet t’i japin përgjigjet për këto incidente që kanë ndodhur”, tha ministri Spasovski.

Për rastin që po udhëhiqet në Shkup, Spasovski elaboroi se ka përparim në hetimin dhe po punohet intensivisht.

“Konsideroj se mund të vijmë shumë shpejtë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti. Megjithatë, më me rëndësi është se pjesa më e madhe nga strukturat kriminele në të a.q. grupe, të cilat kanë vepruar, e gjatë 30 viteve të kaluara më së shumti të përkrahura në kohën e regjimit, tanimë janë dërguar para drejtësisë dhe vuajnë dënime për atë që e kanë bërë. Të përmendi se vetëm gjatë muajit të fundit kemi arrestime të tre anëtarëve të grupit kriminel, të cilët paraprakisht ishin në arrati ose të pakapshëm për organet e përndjekjes. Ashtu që, porosia ime kryesore është se do të bëjmë gjithçka që të mbrohet interesi i qytearëve, siguria, rendi publik dhe qetësia, do të bëjmë gjithçka që pa përjashtim, secili që merret me krim, të përgjigjet, të gjitha ato grupe kriminele të shkatërrohen, të konfiskohet e tërë ajo që e kanë fituar në mënyrë ilegale dhe edhe një herë dërgoj porosi që askush të mos mendojë se do të jetë më i fuqishëm se shteti. Kjo nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të ndodhë”, thotë Spasovski.

I pyetur për ndryshimet në Kodin Penal dhe nëse ka pazar politik, Spasovski thekson se nuk mund të bëhet fjalë për pazar politik, sepse, siç tha, cili është rezultati nga pazari i tillë nëse ka ekzistuar. Vlerësoj, theksoi Spasovski, se nuk ka bazë për pazar politik, ndërsa më pak mund të ketë bazë për pazar politik kur janë në pyetje interesat kombëtare vitale.

Për atë nëse LSDM e sheh veten në “Fontin evropian” për çka foli lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa në të cilin ka hapësirë për të gjitha partitë politike proevropiane dhe proamerikane, Spasovski me porosi se LSDM-ja është një nga partitë më progresive, LSDM është partia e cila saherë që ishte në pushtet janë sjellë të gjitha hapat e rëndësishëm për shtetësinë dhe progresin e shtetit.

“Dhe për këtë të shohim – LSDM është strumbullar në frontin evropian. Është forca kryesore politike në vend kur është fjala për bllokun proevropian dhe LSDM është ajo rreth së cilës do të mblidhet fronti evropian”, thekson Spasovski, duke shtuar se forcat progresive në vend duhet të ndahen njëherë e përgjithmonë viz-a-viz, të gjithë ata që e tërheqin shtetin prapa, ato forca retrograde, ato forca që nuk e ndihmojnë shtetin të përparojë.

Për situatën aktuale politike në shtet, ministri Spasovski vlerëson se askush nuk mund t’i kundërshtojë 80 për qind të qytetarëve që duan perspektivë evropiane.

“Tetëdhjetë për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dëshirojnë të jenë pjesë e familjes evropiane. Kush është ai që mund të kundërshtojë 80 për qind të qytetarëve? Kush është ai që dëshiron ta shkatërrojë perspektivën e shtetit? Për këtë vlerësoj se të gjitha subjektet politike dhe të gjithë politikanët përgjegjës duhet të punojnë në realizimin e një qëllimi të tillë dhe nuk ka më arsye në shtet për progresin tonë se dikush tjetër na qëndron në rrugë në realizimin e qëllimeve tona”, theksoi Spasovski në intervistë për Frontllajn dhe CIVIL Media. (Telegrafi)