LD: Ata të cilët ngritën bashkërisht me VMRO-në për 11 vjet regjimin e Gruevskit akuzojnë të tjerët se qenkan vegël e VMRO
“Kemi futur kokën në thes që të bie regjimi i Nikolla Gruevskit, që Maqedonia të dalë nga izolimi, që qytetarët të jetojnë më mirë, dhe për këtë jemi krenar”, tha kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti në intervistën dhënë për televizionin Klan Maqedoni.
Ai këtë përgjigje e dha ne pyetjen se a është Fronti Opozitar vegël e VMRO-së. Mexhiti tha se pikërisht BDI dhe eksponentë të saj që bashkë me Gruevskin ndërtuan regjimin e tij, akuzojnë se neve jemi vegël e VMRO-së, ndërsa vrapojnë pas Gruevskit për ta kthyer në vend.
“A keni vërejtur se askush nuk akuzon Kovaçevskin se është takuar me Gruevskin, apo ndonjë eksponentë tjetër nga pala maqedonase. Të gjithë i akuzojnë funksionarët e BDI-së, që dëshmon se BDI është linku me Gruevskin dhe jo ndonjë parti maqedone”, tha Mexhiti.
Duke komentuar pyetjen e drejtuar Bujar Osmanit, nëse privatisht apo zyrtarisht ka takuar Gruevskin në Budapest, Mexhiti tha se ka fakte për këtë takim dhe për tentime tjera që BDI ka bërë për ta falur dhe kthyer Gruevskin në vend.