Analisti serb e akuzon Vuçiqin më ashpër se analistët kosovarë: Si Viktor Yanakovichi
Magjistri i shkencave politike dhe ish-gazetari Aleksandar Stoshiq, vlerëson se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është hibrid i të gjithë liderëve të Serbisë ndër vite. Stoshiq thotë se Vuçiq ka marrë më të keqen nga të gjithë.
Stoshiq në një intervistë për “The Geopost” ka thënë se nuk do të habitej nëse Vuçiq vepron me Perëndimin ngjashëm siç bëri ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych.
“Sa i përket Vuçiqit, ai ka nxjerrë përfundime nga sundimi i ndoshta të gjithë pushtetarëve të mëparshëm që kanë qenë në 25 vjetët e fundit në Serbi, duke filluar nga Millosheviqi përmes Gjingjiqit, Koshtunicës dhe Tadiqit – ai ndoshta ka bërë një analizë të të gjithëve dhe përpiqet të injorojë të gjitha gabimet e tyre dhe ia del mbanë. A është perfiditet apo në fakt thjesht mëson nga gabimet e paraardhësve, por jo në kuptimin e përmirësimit të cilësisë së shoqërisë dhe zhvillimit të institucioneve demokratike, pluralizmit, transparencës, por duke i kthyer të gjitha këto në drejtim të vetëruajtjes së pushtetit dhe dhunës së zhveshur. Në këtë kuptim, ai nuk është më perfid, por është shumë më i aftë sepse ka një sfond historik të cilit mund t’i referohet dhe aftësinë për të sunduar shumë më fuqishëm. Midis viteve 2000 dhe 2012, ne patëm një atmosferë relativisht të përmirësuar në rajon, ku liderët serbë, properëndimorë, kishin marrëdhënie më të mira me vendet e tjera fqinje. Kujtojmë marrëdhënien e Tadiqit me presidentin kroat Josipoviq. Mali i Zi ka qenë gjithmonë një kuazi shtet në sytë e opinionit publik serb, por jo siç është sot”, tha Stoshiq. “E përsëris, mendoj se Vuçiq është hibrid i të gjithë liderëve serbë, prej të cilëve mori më të keqen”.
Image
Stoshiq ka thënë se do të zgjidhet çështja e Kosovës, por shton se me “liderë serbë me origjinë nacionaliste, asgjë s’mund të dihet paraprakisht”.
“Politika e ‘shkopit dhe karotës’ duket se po funksionon mirë për ta, ata po përpiqen ta zgjasin atë shkop sa më fleksibël. Mirëpo, gjoja të gjithë e dimë, të paktën kështu është vërtetuar në opinionin publik, se Perëndimi pret qartë prej tij (Vuçiqit) njohjen dhe premtimin se do të përfundojë. Do të doja që kjo të ndodhte sepse populli i Kosovës po vuan tmerrësisht, serbët në Kosovë po vuajnë tmerrësisht, serbët në Serbi po vuajnë nga apatia e rëndë sepse nuk e dinë se çfarë është e tyre. Kjo është arsyeja pse zgjidhja, sado e dhimbshme, mund ta kthejë shoqërinë drejt së ardhmes dhe të përpiqet ta vendosë të kaluarën në një kornizë të pranueshme për ta kuptuar secilin prej nesh. Dhe ndoshta duhet të bëhet e qartë në vitet e ardhshme se si ndodhi dhe çfarë ndodhi historikisht”, tha Stoshiq.
Stoshiq ka thënë se nuk do të habitej nëse Vuçiqi do të ndiqte rrugën që ndoqi Viktor Yanukovych në Ukrainë në vitin 2013/14 kur refuzoi t’i bashkohej BE-së.
Ukraina atëbotë kishte hequr dorë nga Marrëveshja me BE-në duke thënë se i kërkoi Rusia ta shtynte nënshkrimin dhe se “donte kushte më të mira nga BE-ja”.
“Për disa kohë kam pasur bindjen se gjithçka do të përfundojë si rasti që ndodhi në Kiev në 2013/2014 kur përfundimisht u nënshkrua Marrëveshja me BE-në. Nuk do të habitesha nga skenari i Yanukovych që edhe Vuçiq të dorëzohet në momentin e fundit kur nuk ka ku të shkojë tjetër. Unë mund të përmend një milion arsye pse është kështu, dhe ndoshta për shkak se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Moskës janë mjaft të forta, në të kaluarën ka pasur marrëdhënie shumë klienteliste midis pushteteve apo pushtetarëve. Nuk e kuptoj sa do t’ia dilnin tani, ndoshta ka shantazh historik.
Do të doja që Kosova të mbyllej si temë, t’i drejtohemi së ardhmes. Për shembull, le të shohim se si irlandezët arritën ta përmbysin situatën e tyre të vështirë historike që kishin me shtetin britanik, unë jetoj në Irlandë kështu që e përmendi këtë. Këto janë shembuj shumë pozitivë. Kjo do të jetë e ardhmja e rajonit, do të shohim nëse një ditë do të ketë armëpushim në kohën e Vuçiqit apo një presidenti tjetër”, tha Stoshiq.