Maqedoni

U hap zyra e re e Alternativës në Strugë (Foto)

Sonte, në prani të shumë struganëve dhe mysafirëve të tjerë u bë hapja e zyrës së re të Alternativës në Strugë.
Takimin e hapi nënkryetari i Alternativës, Arben Labënishti, i cili u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve dhe foli në përgjithësi për organizimin e degës së Alternativës në Strugë dhe në zonën e pestë zgjedhore.
Pas tij fjalë rasti pati Sekretari i Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi, i cili i përgëzoi struganët dhe, veçmas kryetarin e degës së Strugës, Geni Qyra, për zyrën e re dhe për punën e bërë në këtë zonë. “Unë ju përgëzoj për zyrën e re, duke ju ftuar të punojmë për një fitore të re. Tash, kur partia në pushtet u dëshmua se është e kalbur pikërisht nga Struga, sepse kryetari i Strugës nuk është ishull i vetmuar në atë parti, por është vetëm një hallkë e korrupsionit të saj, janë pjekur edhe kushtet që në zyrën e re ta kremtojmë edhe fitoren e re.”, deklaroi me këtë rast Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës.
Në fund të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili i përgëzoi për hapjen e zyrës së re dhe foli për zhvillimet e përgjithshme politike, duke thënë se: “Para nesh është një sfidë e re dhe një fitore e re. Pema është pjekur dhe ka ardhur koha për ta vjelë.”, theksoi Kryetari Gashi.
Ai foli edhe për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur në Strugë dhe në këtë zonë nënkryetari Arben Labenishti, anëtari i Kryesisë Qendrore, Hysein Dika, dhe kryetari i degës, Geni Qyra.