May 15, 2024
Maqedoni

Dyshohet se një vajzë me probleme mendore u dhunua në Pejë

Rastet e sulmeve seksuale dhe dhunimeve në Kosovë, kohëve të fundit janë në rritje e sipër.

Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në qytetin e Pejës.

Mësohet se vajza e cila dyshohet se ishte viktimë e dhunimit, ka edhe probleme mendore. E njëjta është shtetase e Shqipërisë dhe ditë më parë ishte raportuar si e zhdukur.

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Pejës kanë bërë të ditur se janë duke ndërmarrë veprime hetimore.

“Pas veprimeve hetimore dhe ekzaminimit mjekësor të viktimës dyshohet se është dhunuar viktima. Për këtë çështje janë autorizuar nga Prokurori i shtetit, Policia e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit apo personave te dyshuar që kanë kryer këtë vepër penale”, ka thënë për Telegrafin, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale ‘Dhunim’.

Ndërkaq policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se në Pejë është gjetur viktima femër shtetase e Shqipërisë e cila ishte raportuar në policinë e shtetit të Shqipërisë si person i zhdukur.

“Lidhur me rastin e njëjta është dërguar në emergjencë për kontrollë mjekësore, ndërsa nën dyshimin se ndaj të njëjtës është kryer vepra e lartcekur me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për ekzaminim në IML. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.