Maqedoni

AAA: Paaftësinë e shtetit po e paguajnë qytetarët, borxhi i ri 100 mln euro i EMV-së do të shtrenjtojë faturat e rrymës

Elektranat e Maqedonisë së Veriut kanë marrë borxh të ri prej 100 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Partia Alternativa vlerëson se aaftësia dhe papërgjegjësia e ekipit menaxherial, e solli EMV-në në situatë që të zhytet në borxhe për ta vazhduar funksionimin dhe për t’i paguar pagat.

“EMV-ja vazhdimisht është cak i kritikave për furnizime jotransparente dhe marrëveshje në katër sy, që domosdo ngre pikëpyetjen nëse korrupsioni i menaxhmentit e solli kompaninë në pikë që duhet të mbulojë humbjet me borxhe? A do të shpërdorohen edhe këto 100 milionë euro, sikur qindra milionë të tjerë në të kaluarën?”, pyet Alternativa.

Sipas partisë së Afrim Gashit, shqetësues është fakti se për ta financuar kredinë, EMV-ja do të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e rënduar edhe më tej buxhetin familjar.

“I bëjmë thirrje KRRE-së që të mos lejojë rritjen e çmimit për EMV-në, sepse qytetarët nuk duhet të paguajnë për paaftësinë, papërgjegjësinë dhe kapriçot e udhëheqësisë së EMV-së.

EMV-ja ishte shkaktari kryesor i krizës energjetike të periudhës së fundit në Maqedoninë e Veriut, duke mos arritur të prodhojë energji të mjaftueshme për plotësimin e nevojave të vendit. Ky menaxhim i papërgjegjshëm duhet të dënohet, e jo të shpërblehet”, kërkon Alternativa.

Me ndërrimin e pushtetit dhe ndryshimin që do të vjen në zgjedhjet e ardhshme, do të marrë fund edhe diletantizmi në institucionet publike, premton kjo pati.

“Qytetarët do të mbrohen dhe nuk do të lejojmë që familjet tona të paguajnë faturën e korrupsionit, shpërdorimit, paaftësisë dhe papërgjegjësisë”, theksohet në reagim.