Opinion

Shqiptarët e duan Albin Kurtin e pakorruptuar, maqedonasit e duan Vuçiqin e korruptuar

Vetëm antidemokratët, shovinistët dhe albanofobët mund të kundërshtojnë vendosjen e emrit të rrugës Adem Demaçi në Shkup, të luftëtarit të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut, që u nderua edhe me Çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian. Çuditërisht shteti që veten e quan demokratik është kundër emërimit të rrugës me emrin e njeriut që pat thënë: “liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur”

Shkruan: Numan Sallai

Në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në Shkup (Çair) dhe Tetovë, në dy komunat, së paku disa vite me radhë po frymohet paksa shqip, sepse komunat i dominojnë shqiptarët e zgjedhur dhe administrata me shumicë është shqiptare. Megjithëse ndjehet paksa klimë shqiptare, prapëseprapë tutori kontrollon gjithçka, duke u thirrur në ligjet qendrore të shtetit. Bie fjala në të dy komunat ende de fakto nuk mund të ndërrohen emrat e shkollave të caktuara nga koha e komunizmit. Nuk mund të ndërrohen as emrat e rrugëve në të gjitha vendbanimet perëndimore, ku popullata shqiptare është më në numër.

Në këto dy komuna (pa)pritur sikur “ateroi” Albin Kurti. Njeriu që i dha goditje korrupsionit në Kosovë. Është normale të pritet si shpresë edhe në Maqedoninë e Veriut. Erdhi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Shkup, Çair, me rastin e përurimit të një rrugë me emrin Adem Demaçi, heroit tonë kombëtar që qëndroi në burgjet serbe rreth 30 vjet , për lirinë e popullit shqiptar. Sa për kujtesë Parlamenti Evropian në vitin 1991 ia ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruan si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut. Dhe, duke pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës Demaçi pat thënë se “liria e fjalës është hapi i parë vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur”. Ky rast dhe gjoja shfaqje e një harte të Shqipërisë së Madhe në koncertin muzikor të Tetovës dhe thënia e Kurtit se duhet të bashkëpunohet me të gjithë popujt e Ballkanit (edhe me bullgarët), përveç me serbët, nxiti reagime të establishmentit shtetëror dhe masava më të gjëra , se gjoja shqiptarët tani prapë po rrezikojnë shtetin e Maqedonisë së Veriut. Madje nga disa struktura të rëndësishme pati edhe paraqitje nacionaliste e shoviniste. Albanofobi e tërësishme, mbase më e keqe se në kohën e komunizmit . Bilall Kasami e Visar Ganiu janë thirrur në biseda informative si në kohën e komunizmit famëkeq. Bile janë bërë fletëparaqitje për kundërvajtje!!!Ç’ndodh në Maqedoninë e Veriut. Procese retrogarde të papritura. Ndërsa këto reagime nuk i kundërshtuan fare, me përjashtime të vogla, as përfaqësuesit shqiptarë në ekzekutiv. Heshtje e (pa)habitshme!!!

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mbase më qëllim eskivoi takimet me autoritetet kryesore të shtetit maqedonasë e shqiptarë, për shkak sa ata kanë qenë në vijën e projektit” Open Ballkan” të shpikur nga presidenti serb Vuçiq, projekt, i cili është në dështim e sipër. Pushteti e pa si rrezik latent vizitën e Kurtit të pakorruptuar dhe si një frymëzim të ri për shqiptarët e këtushëm. Shqiptarët vërtetë janë lodhur këtu e gjetiu nga politikat korruptive. Madje një pjesë shohin rrezik nga paraqitja pompoze e Kurtit në Tetovë dhe Çair. Ata e shohin si rrezik se mos nis një periudhë e re e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, një politikë antikorruptive, një politikë që do ta heq “20 përqindshin” e gjuhës shqipe nga Kushtetuta e Maqedonisë, që do ta formalizojë juridikisht shtetformësinë e shqiptarëve, do të ndal eksodin shqiptar, që do nis ndërtimin e rrugës Tetovë –Prizren që është agjendë 30 vjeçare e politikës së dështuar shqiptare, të ndërpriten marrëdhëniet apo korrelacionet e mira të grupeve partiake për interesat e tyre (maqedono-shqiptare) në kurriz të interesave të popullit dhe të mënjanohen shumë gjëra të tjera negative që ndjekin popullatën vite të tëra, sidomos tani kur zgjedhjet e ardhshme janë në prag.

Nga ana tjetër, masa amorfe maqedonase akoma Beogradin e sheh si shpëtimtar, ende mendon se Vuçiqi i korruptuar mendon mirë për vendin e tyre. Ndoshta edhe më mirë se vet politikanët vendas!!!Ata sikur nuk duan të shohin se nga shkon politika globale. Ose ata i duan benefitet e politikës globale, por nuk e duan sundimin e tyre. Politika globale shqiptarët dhe maqedonasit i sheh në një kornizë, si një interes rajonal. Këtë duhet sa më parë ta kuptojnë maqedonasit. Interesi i maqedonasve është sa më shumë të afrohen me shqiptarët, e jo ende të ëndërrojnë kohërat e vjetra, në kohën kur shumë interese vendoseshin në Beogradin e tyre. Sot vendoset drejt në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër e Paris. Me dioptri tjetër shikohet përparimi dhe lëvizja gjeostrategjike e rajonit tonë. Në këtë frymë është stërvitje ushtarake e përbashkët SHBA, Shqipëri ,Maqedoni e Veriut që mbahet në ditët në vijim. Këtë duhet sa më parë ta kuptojnë maqedonasit./KDP