Mos të harrohet historia e Orizares dhe Orizarasve
Shkruan: Nehat Jahiu
Edhe jeta e orizarasve si e gjithë shqiptarëve ishte një jetë e vështirë dhe e rënduar mbi supet e tyre me shumë halle e brenga, ishte një jetë me sakrifica, me luftëra, për të qenë ose për të mos qenë, për të mbijetuar në trojet e tyre, për të ruajtur trungun e tyre të lashtë në tokën e tyre stërgjyshore në Orizare. Shumë gjëra e ngjarje shekuj me radhë ndodhën në Orizare, u përcollën brez pas brezi, por dikur u hodhën në harresë që sot shumë pak dihen për të mos thënë ndoshta edhe aspak, sepse nuk u shkruan në letër, e ajo që nuk shkruhet harrohet dhe nuk do të mbetet e gjallë në jetë.
Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që ishte autoktone në Orizare dhe që mbeti e pa shënuar u zhduk, kështu që shumë brezave të gjakut, farefisit, familjes më të afërt nuk ua dimë as emrat e mbiemrat. Kush ishin ata, çfarë kishin bërë ata, çfarë kishin punuar, çfarë personalitete ishin, çfarë veprash kanë lënë, e shumë e shumë tjera … E dimë dhe jemi të vetëdijshëm se të parët tanë edhe në Orizare në kohëra të ndryshme përjetuan shumë stuhi e shtrëngata nga pushtues të ndryshëm në tokën e tyre arbërore, por edhe pse të pushtuar e të maltretuar, ata me një identitet të fortë përballuan çdo gjë për të mbijetuar në vendin e tyre dhe duke ruajtur gjuhën e të parëve të tyre, traditat dhe zakonet e tyre që i kishin trashëguar brez pas brezi. A thua vallë po sa jemi fajtor për fat të keq edhe ne vet orizarasit që nuk e ruajtëm dhe nuk e shkruam të kaluarën tonë historike, të kaluarën tonë materiale e shpirtërore me vlera shumë të rëndësishme që i krijuan të parët tanë në vendlindjen tonë.
Është mëkat i madh që nuk do të na e fal askush, s’do të na e fal as Perëndia, s’do te na i fal këto mëkate për atë që mundëm ta bënim e nuk i bëmë. Asgjë nuk mblodhëm dhe asgjë nuk ruajtëm për t’i lënë gjeneratave të reja që do të vijnë pas nesh. A thua vallë kush do të na e falë këtë borxh që i’a patëm historisë së vendlindjes sonë e që e lamë ta mbulojë pluhuri i harresës…?!
Është mëkat i mekateve që kurrën e kurrës nuk do të falen që shumë objekte kulturore dhe historike, e shpirtërore nuk u mblodhën e nuk u ruajtën, por shumë prej tyre u zhdukën për të thënë edhe në tërësi u zhdukën nga sipërfaqja tokësore e nëntokësore… Madje dhe ato pak vlera që kanë mbetur para syve tanë edhe sot po zhduken. A thua vallë ku jemi ne…?! A thua vallë mos na u kanë verbuar sytë e nuk jemi duke parë para syve tanë …?! A thua vallë me çfarë të drejte morale, kombëtare e fetare lejuam që të zhduken dhe harrohen këto vepra të çmueshme, historike, materiale e shpirtërore të së kaluarës sonë që u krijuan, u trashëguan dhe u ruajtën me aq xhelozi të madhe nga të parët tanë që nga fëmijëria, pleqëria, e deri në vdekjen e tyre. I krijuan dhe i ruajtën në rrethana shumë të vështira nën thundrën e pushtuesve të huaj shekuj me radhë për të mbijetuar në vendlindjen tonë që e deshën më shumë se jetën e tyre.
Ku gjenden kullat tona që ruajtën historinë e popullit të lashtë orizaras…?! Ku gjenden sot themelet e tyre…?! Ku gjenden shenjat e themeleve të tyre…?! Ku janë themelet e këtij fshati të lashtë…?! Malet dhe fushat e këtij vendi? Ku janë krojet që u ndërtuan nga duart e të parëve tanë …?! Ku gjendet xhamia e parë e fshatit Orizare që ishte e ndërtuar gjatë vitit 1380…?! Ku gjenden themelet dhe gurët e kësaj xhamie…?! Ku gjendet shkolla e parë që u hap në gjuhën shqipe në Orizare…?! Ku gjendet mejtepi…?! Ku gjenden varret e të parëve tanë…?! Ku gjenden shumë e shumë…?! Që na identifikuan neve orizarasve si popull vendas autokton në trojet tona me gjuhë, fe, kulturë e traditë… Ku jemi…?! A thua vallë nuk po shohim se si varret e të parëve tanë dita-ditës po zhduken nga njerëz injorantësh duke hedhur mbeturina mbi eshtrat e gjyshërve-stërgjyshërve tanë. E çfarë jo…?! Mbulohen me hedhurina të llojllojshme e çfarë jo…?! Absurd mbi absurd…?! Turp mbi turp…?! E gjithë kjo e shumëçka tjetër bëhet para syve tanë… E ne…!? Ne heshtim…?! A thua vallë ku jemi ne që heshtim, kur në mes të fshatit na vinë njerëz, na futen në varre, ua nxjerrin eshtrat të parëve tanë, e ne heshtim vetëm heshtim…?!
O Zot, si do të na falen këto mëkate kur na i dhunojnë varret e të parëve tanë e ne heshtim, heshtim …?! Për të gjithë këtë e për shumëçka që thash e nuk thash, o bashkëfshatarë të mi sytë duhet të na rrjedhin lot e zemrat të na pikojnë gjak. Do të na mallkojë historia…?! Do të na mallkojë Perëndia…?! Do të na mallkojë …?!